Në prag të zgjedhjeve të reja për kreun e partisë më të madhe opozitare Syriza, ka ardhur edhe përçarja e tretë e radhës brenda një viti e gjysmë.
Ish lideri i saj, Stefanos Kasselakis i zgjedhur pas humbjes në zgjedhjet e 2023 dhe dorëheqjes së Aleksis Tsipras , ka deklaruar mesditën e së shtunës , se do të krijojë një parti të re , një lëvizje te re politike.
Kasselakis, në fakt ka shpallur prej mbrëmjes të së premtes , ndërsa zhvillohej kongresi i Syrizës,mes konfrontimeve politike të mbështetësve apo kundërshtarëve të tij, krijimin e një “lëvizjeje progresive” – që siç ka thënë – “do të ishte më e pavarura, më novatorja dhe më progresivja që ka parë vendi”.
Deklaratat e tij pasojnë dorëheqjet e të paktën 4 deputetëve të Syriza-s nga grupi i saj parlamentar. Ndërsa priten të paktën edhe dy ose tre largime deputetësh nga Syriza për tu bashkuar me partinë e re të z. Kasselaki, kjo do të sjellë socialistët grekë të Pasok-ut në vendin e dytë sa i përket forcës parlamentare , duke u bërë partia më e madhe opozitare.
‘’Lëvizja jonë do t’i drejtohet gjithë botës demokratike dhe të drejtës institucionale. Ne nuk do të jemi një parti demokratike e elitave, do të jemi një parti popullore progresive” – ka thënë ai në fjalimin para përkrahësve të tij.
Kriza e re në gjirin e së Majtës greke është thelluar muajt e fundit kur divergjencat e brendshme kanë çuar në zhvillime të vrullshme dhe Komiteti qëndror i saj me 163 vota pro dhe 123 kundër ka votuar pro mocionit të mosbesimit ndaj liderit Stefanos Kasselakis, që qëndroi në krye të saj vetëm 11 muaj.
Situata u kulmua pas kritikave të shumta të zyrtarëve të lartë të Syriza-s ndaj , homogjenit greko-amerikan Stefanos Kasselakis, duke e akuzuar për sjellje autoritare dhe dallim ideologjik nga baza e partisë.
Ndërkohë në Kongresin e Syrizës është aprovuar kandidatura e 4 anëtarëve të lartë të saj që do të pretendojnë në zgjedhjet e 24 Nëntorit , postin e udhëheqësit të ri të Syrizës, partisë që prej 2015 është përçarë të paktën 6 herë.
Top Channel