Vetëm pak pas rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, Moska rinisi ofensivën në Ukrainë me bombardime të ashpra Odessa e Kharkiv.
Bashkimi Europian po përpiqet të qetësojë qeverinë Zelensky, teksa sulmet ajrore ruse dhe mësymjet tokësore vazhdojnë dhunshëm në qytete dhe në frontin e luftës midis Donbass dhe rajonit të Kurskut.
Mëngjesin e sotëm, shefi në largim i politikës së jashtme dhe sigurisë së bllokut, Josep Borrell mbërriti në Kiev për të diskutuar mbështetjen europiane përballë shqetësimit në rritje për zgjedhjen e Donald Trump dhe mundësinë e eklipsit të angazhimit ushtarak amerikan kundër ekspansionizmit rus. “Mesazhi është i qartë: ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të mundemi, siç kemi bërë deri tani”, deklaroi kryediplomati europian ndersa mediat lokale raportonin viktimat civile dhe dëmet e shkaktuara nga bombardimet e fundit ruse. Të paktën një vdekje u shënua në Odessa nga sulmet me dronë në zonën e portit tregtar.
Në shënjestër u vu edhe Kharkivi, ku “bomba rrëshqitëse” goditen qendrën e qytetit. Portalet ushtarake shkruajnë po ashtu se në Donbas rusët kanë pushtuar të paktën 7 fshatra të vegjël në orët e fundit.
Në Donbas, thonë mediat e huaja, raporti i luftimeve është një ushtar ukrainas me pesë rusë. Për më tepër, Moska ka rritur prodhimin e dronëve Geran-2, të kopjuar dhe modifikuar nga Shaheedi-136 iranian. Trupat ukrainase janë të dërrmuara kurse forcat pushtuese ruse bëjnë përparime graduale në lindje. Ndërkohë, sulmet e Rusisë me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës civile po vazhdojnë.
Top Channel