Ashtu si tregtarë të tjerë që punojnë me karroca ose stenda rruge, edhe Papy Kalume ka vendosur të praktikojë profesionin e tij të berberit në rrugë, për të fituar jetesën.
Megjithë sfidat dhe vështirësinë, Kalume thotë se kur menaxhon punën e tij fiton gjithsesi më shumë se të punësohet te të tjerë.
“Stili i flokëve që kam mësuar më mirë është ‘Kovo’ [topi zero në gjuhën Lingala] që është dhe stili i presidentit, i heq të gjitha krejtësisht, pastaj me brisk heq edhe mjekrën, ky model më pëlqen më shumë”, thotë Kalume në reportazhin e rrjetit AFP.
“Të jesh berber rruge është të mbijetosh për të ushqyer familjen. Ka shumë vështirësi për të organizuar jetën profesionale, unë tani punoj në rrugë por kur të kem mundësinë të punoj në dyqan do të kem një shans më të mirë për të kaluar”, shton ai.
Kalume ka vendosur “sallonin e tij portativ” në rrugën e pluhurosur të Kinshasa edhe pse brisqet i nxjerr të pastër nga çanta e tij.
Ai është një nga mijëra njerëz që përpiqen të fitojnë jetesën në mënyrë informale në republikën Demorkatike të Kongos, ku papunësia shënon rreth 50 përqind.
Brenda disa minutash ai përfundon qethjen e stilit ‘top zero’, për të cilën thotë se e ka mësuar ‘duke praktikuar me fëmijët e lagjes ose me të afërmit e tij.’
“Duhet mësuar mirë përdorimi i këtyre brisqeve, pasi mund të plagosesh lehtësisht,” thotë Kalume për rrjetin AFP.
Pas qethjes klientëve ai u spërkat dezinfektues nga prapa ose u hedh pudër për t’u kujdesur për prerje të vogla aksidentale.
Dhjetra burra vijnë çdo ditë në sallonin e hapur të Kalume për t’u ulur në karrigen e vjetër të zyrës, qe ai ka si poltronë para pasqyrës së krisur.
Qethja e tij kushton vetëm $0.70 cent (2,000 franga kongoleze). Pak më larg një në një berberhane qethja kushton rreth 20 herë më shtrenjt por shpesh shihet e zbrazur./AFP/
Top Channel