Vendimi i Gjykatës Administrative për deputetët e PD/ Peleshi demokratëve: Ne nuk djegim karriget tona për të protestuar, hajdeni t’i rikthehemi normalitetit

07/11/2024 10:37

Deputetët e Partisë Demokratike u rikthyen në seancën plenare ditën e sotme.

Socialisti Niko Peleshi  gjatë fjalës së tij në Kuvend iu drejtua deputetëve të PD-së që të mos djegin karriget e Parlamentit dhe që seancat plenare të kthehen në normalitet.

Ndër të tjera Peleshi u tha demokratëve “ne nuk djegim karriget tonë për të protestuar për vendimin e gjykatës”.

“Është në të drejtën e opozitës të zgjedhë kursin e saj opozitar. E gjej të nevojshme të bëj disa sqarime. Ta ndajmë mendjen, të dashur kolegë, çfarë qëndrimesh do mbajmë për vendimet e gjykatave. Çështja është të vendosim se çfarë raporti do të kemi me drejtësinë; do i pranojmë apo jo. Nuk po çmoj nëse është i drejtë apo jo, por ju dogjët karriget e Parlamentit. Për shkak të një vendimi gjykate ju sot jeni këtu.

Gjykata Administrative merr atributet e Kuvendit. Nuk mund të ndërhyjë në vendimet kolegjiale të Kuvendit, sidomos për masat disiplinore. Por ne kemi një standard tjetër, pavarësisht flagrancës së një vendimi të Gjykatës Administrative që ndryshon një vendim organi kolegjial. Ne jemi këtu dhe ju gjithashtu, duke diskutuar bashkë. Nuk mund të na pëlqejë, por duhet të vendosim një standard. Të mos djegim karriget, por të ndjekim procedurën, sepse kjo vendos një precedent të rrezikshëm, jo për ne dhe ju, jo për sot, por për nesër.

Ne nuk jemi dakord me vendimin e gjykatës, por e zbatojmë; nuk djegim karriget, jemi për normalitet. Të lëmë këtë çështje sot dhe të vazhdojmë në normalitet, të vazhdojmë punën tonë. Jemi në sezonin më të rëndësishëm të punës së Kuvendit, seancë plenare për buxhetin. Nuk ka fushëbetejë më të përshtatshme për të mbrojtur vizionin e saj opozita. Ta kalojmë diskutimin e masave disiplinore sepse nuk kanë sens dhe të vazhdojmë me diskutimet për buxhetin.

Duhet të vendosim një standard për këto vendime. Të mos djegim karriget kur nuk na pëlqejnë. Ky është precedent që Gjykata Administrative merr atributet e Kuvendit dhe vendos. Vendimi i gjykatës nuk ka rrezuar vendimin e Etikës, por e ka quajtur të drejtë, thjesht ka ndryshuar datat. Në vlerësimin tim, ka bërë një vendim të gabuar sepse ka hyrë në territorin tonë, por kjo nuk ju jep të drejtë të digjni karriget. Nderojeni foltoren si përfaqësues të qytetarëve; buxheti është fusha e betejës për të dyja palët, jo vetëm për mazhorancën dhe jo vetëm për opozitën.”, tha Peleshi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA