Tifozët ‘ultras’ të kryeqytetit francez shpalosën mbrëmë një poster gjigant në mbështetje të Palestinës dhe Libanit gjatë ndeshjes për Kupën e Kampionëve.
Por ministri i brendshëm Bruno Retailleau kritikoi shpalosjen e pankartës gjigante “Palestina e Lirë” nga tifozët e Paris Saint-Germain (PSG) para nisjes së ndeshjes kundër rivalve spanjollë të Atletico Madrid, duke e quajtur “e papranueshme”.
Retailleau tha se do të kërkonte shpjegime nga klubi pas ngjarjes në stadiumin “Parc des Princes” në Paris.
“Unë nuk përjashtoj asgjë,” tha Retailleau për mediat vendase duke iu referuar ndëshkimeve të mundshme.
“Dua të di më shumë sesi u shpalos në stadium ky flamur gjigant. Më shpjegoi diçka kreu i policisë së Parisit dhe ramë dakord për disa gjëra, por kërkoj dhënie llogarie”, tha ai.
Krerët e futbollit evropian UEFA thanë për agjencinë Reuters se PSG nuk do të përballet me veprim disiplinor pasi masa ka të bëjë vetëm me mesazhet ofenduese ose provokuese.
Incidenti vjen tetë ditë pasi kombëtarja e Francës do të presë kombëtaren e Izraelit në një ndeshje të vlefshme për Ligën e Kombeve të UEFA.
Posteri i djeshëm ishte rreth 50 metra i gjatë dhe 20 metra i gjerë dhe u shpalos në shkallët prapa portës së PSG, teksa përshkruante flamurët palestinez e atë libanez, me imazhin e xhamisë së Al-Aqsa Mosque në Jeruzalemin lindor.
Gjatë ndeshjes një tifoz mbante gjithashtu pankartën me mbishkrimin: “A ka rëndësi jeta e një fëmije në Gaza më pak se një tjetër?”
“Kjo pankartë nuk ka vend në stadium,” shkruante më pas ministri Retailleau.
Në një deklaratë skuadra e PSG thanë se nuk ishin në dijeni të “ndonjë plani për shfaqjen e mesazheve të tilla”.
Në fillim të vitit klubi skocez i Celtic u gjobit $19,000 pasi tifozët valëvisnin flamurë palestinezë gjatë një ndeshjeje të ‘Champions League’.
Ndërkohë lufta e Izraelit në Gaza ka vrarë të paktën 43,391 njerëz, shumica civilë, që prej nisjes në 7 tetor 2023, sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza.
Ndërsa ofensiva e Izraelit në Liban ka vrarë 3,050 njerëz që prej nisjes së sulmit ndaj Gazës, shkruan rrjeti i Katarit Al Jaseera.
Top Channel