Kryeministri britanik i zotohet Zelenskyt: Mbështetja për Ukrainën, ‘e veshur me hekur’

07/11/2024 22:19

Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer e ka siguruar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë mbetet “e veshur me hekur”.

Ata u takuan në një samit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin hungarez, Budapest.

SHBA ka qenë deri tani donatori më i madh i vetëm i ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Por është shprehur frika se kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar mund të ngadalësojë ose ndalojë, rrjedhën e ndihmës ushtarake amerikane në Kiev.

Kryeministri tha se samiti “nuk ishte vetëm për sovranitetin e Ukrainës”, por gjithashtu “lirinë tonë, demokracinë tonë dhe vlerat tona”.

Pas bisedimeve të tij me udhëheqësin ukrainas, Sir Keir anashkaloi një pyetje nëse fitorja e zgjedhjeve presidenciale të Trump ishte e mirë për Evropën dhe Ukrainën.

Ai tha se ishte takuar me Presidentin Zelensky për herë të gjashtë që kur u bë kryeministër, duke shtuar se ishte një mundësi për të pohuar “mbështetjen e hekurt” të Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën.

Më herët, kryeministri hungarez, mikpritës i samitit, Viktor Orban tha se liderët e Evropës kishin rënë dakord se duhej të merrnin përgjegjësinë për sigurinë e tyre dhe jo vetëm të mbështeteshin te SHBA-ja për mbrojtjen e tyre.

Sir Keir u kërkoi aleatëve të Ukrainës që të “rrisin” mbështetjen e tyre, duke i thënë Zelenskyt: “Siç e dini, mbështetja jonë për Ukrainën është e palëkundur.

Presidenti ukrainas e falënderoi atë “që qëndroi me Ukrainën gjatë kësaj periudhe të vështirë”.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz gjithashtu janë zotuar vazhdimisht të qëndrojnë në krah të Ukrainës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA