Pavarësisht luftës tregtare që Trumpi i shpalli Kinës në mandatin e tij të parë presidencial, presidenti kinez Xi Jinping zgjodhi t’i shtrinte dorën e bashkëpunimit republikanit, të cilin e telefonoi personalisht për t`i uruar fitoren në zgjedhjet e 5 nëntorit.
“Kina dhe SHBA do të përfitonin nga bashkëpunimi mes tyre, dhe të dyja palët do të humbisnin nga konfrontimi”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e jashtme në Pekin. Sipas kësaj të fundit, kreu i shtetit kinez ka insistuar se të dyja vendet duhet të menaxhojnë siç duhet dallimet e tyre dhe “të gjejnë një mënyrë për t’u bashkuar në një epokë të re”. “Një marrëdhënie e qëndrueshme dhe e shëndetshme Kinë-SHBA është në interesin e përbashkët të të dy vendeve dhe pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar”, ka qenë mesazhi i Xi Jinping, që theksoi se “shpreson që të dyja palët të mbështesin parimet e respektit reciprok, të bashkëjetesës paqësore dhe të bashkëpunimit të favorshëm, e të forcojnë dialogun dhe komunikimin, teksa menaxhojnë siç duhet dallimet mes tyre.
Reagimi i parë i Rusisë ndaj fitores së Trumpit, që nuk është treguar agresiv ndaj Moskës, erdhi përmes Ministrisë së jashtme ruse që deklaroi “se nuk kanë iluzione për presidentin e zgjedhur, i cili njihet mirë në Rusi, apo Kongresin e ri, ku republikanët thuhet se kanë fituar kontrollin. Elita politike në pushtet e SHBA-së i përmbahet parimeve anti-ruse dhe politikës së ‘frenimit të Moskës'”. Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov sakaq la të hapur shtegun e bashkëpunimit..
“Ne do të presim e të shohim nëse do të ketë ndonjë propozim nga administrate Trump. Por e përsëris edhe një herë, nuk ishim ne që i prishëm marrëdhëniet me SHBA-në, kështu që nuk na takon ne që të sugjerojmë rinxitjen e tyre.”, tha Lavriv.
Përpara votimeve, zyrtarë rusë përfshirë presidentin Vladimir Putin, këmbëngulnin se nuk ka rëndësi për Moskën se kush i fiton zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kushdo që shikonte mbulimin e zgjedhjeve amerikane nga media shtetërore ruse, thoshte VOA, do të dilte në përfundimin se Donald Trump ishte shumë më i favorizuar.
Top Channel