“Fundi i koalicionit nuk është fundi i botës”/ Orë dramatike në Gjermani pasi Scholz humbi shumicën brenda koalicionit

07/11/2024 14:15

Presidenti i Gjermanisë e quajti “krizë politike që duhet dhe do ta lëmë pas” situatën aktuale në Gjermani. Ai foli për orë dramatike dhe bëri thirrje për “arsye e përgjegjësi”.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier i quajti orë “dramatike” orët e përjetuara “në politikën e jashtme si dhe të brendshme”, që të mërkurën në mbrëmje (06.10.) dhe që të martën.

“Debati publik dhe interesi medial është përqendruar plotësisht në pasojat pas vendimeve të zgjedhjeve në SHBA dhe që prej dje në mbrëmje këtu në Gjermani”, tha ai sot (07.10) në një deklaratë në Berlin.

Situatën e pazakontë për Gjermaninë, presidenti Steinmeier e argumentoi me faktin që “ka ndodhur rrallë” “në historinë 75 vjeçare të Republikës Federale, që një koalicion qeverisës të mos ketë më shumicë në Bundestagun Gjerman para përfundimit të periudhës legjislative.”

Steinmeieri kuptoi me këto fjalë daljen dje të partisë liberal-konservatore FDP nga koalicioni trepartiak qeverisës me socialdemokratët (SPD) dhe Të Gjelbrit. Këto e lanë koalicionin Scholz, rreth 3 vjet pas ardhjes në pushtet, pa shumicë në Bundestag.

Presidenti Steinmeier deklaroi se do të nënshkruajë në mesditë kërkesën për lirimin nga detyra të ministrit të Financave të Gjermanisë, Christian Lindner nga FDP. Këtë kërkesë ia paraqiti dje në mbrëmje kancelari Olaf Scholz. Dy ministra të tjerë liberalë në qeveri, Buschmann dhe Stark-Watzinger kanë paraqitur nga ana e tyre dorëheqjen, konfirmoi Presidenti gjerman.

Por “fundi i një koalicioni nuk është fundi i botës, është një krizë politike që duhet dhe do ta lëmë pas” shtoi Steinmeier. Ai tërhoqi vëmendjen se “demokracia jonë është e fortë” dhe se kushtetuta, ligji themelor kanë përcaktime të qarta për pjesën tjetër të procedurës.

Parlamenti mund të hapë rrugën për zgjedhje të reja pasi kancelari e humbet votëbesimin. Kancelari Scholz “deklaroi se do ta kërkojë votëbesimin në Bundestag”.

Gjermanisë i duhen “shumica të qëndrueshme dhe një qeveri e aftë për veprim”.
Steinmeier kujtoi se është Presidenti i Gjermanisë ai që vendos për shpërndarjen e Bundestagut. Por ai tha se “jam i gatshëm për këtë vendim” “nëse Bundestagu ia heq votëbesimin kancelarit federal në kuadrin e procedurës së parashikuar në nenin 68 të Ligjit Themelor.”

Presidenti i Gjermanisë tha se ishte i ndërgjegjshëm se kushtetuta gjermane “e lidh këtë vendim me parakushte”. Por “kriteri i verifikimit” të vendimit për Steinmeierin do të jetë maksima se Gjermania “ka nevojë për shumica të qëndrueshme dhe për një qeveri të aftë për veprim”.

Presidenti Steinmeier bëri thirrje për “arsye dhe përgjegjësi” në situatën aktuale dhe për të mos u marrë me “taktika dhe përleshje”.

Ai tha se shumë njerëz në Gjermani “vështrojnë me shqetësim situatën e pasigurtë politike” në Gjermani, në Evropë dhe në botë “edhe pas zgjedhjeve në SHBA”.

Presidenti gjerman kujtoi në fund sfidat e pazakonta me të cilat përballet bota dhe Gjermania. “Pres që të gjithë ata që janë përgjegjës të përgjigjen në përputhje me përmasën e sfidave”, përfundoi ai. /DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA