“Ulet me 0.25% norma bazë e interesit”/ Guvernatori Sejko: Shkon në 2.75%, kontrollojmë goditjet mbi inflacionin

06/11/2024 20:08

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit në 2.75%, nga 3% që ishte deri më tani.

Kjo është ulja e dytë brenda pak muajsh, ndërkohë që paralelisht, do të ulen edhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë. Vendimet e Këshillit Mbikëqyrës i bëri të ditura guvernatori Gent Sejko.

“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kjo lëvizje do të krijojë kushte monetare më të përshtatshme për të kontrolluar ndikimin që goditjet afatshkurtra të ofertës mund të kenë mbi inflacionin në të ardhmen. Ajo ilustron gatishmërinë e Këshillit Mbikëqyrës për të reaguar në kohën e duhur dhe në mënyrë simetrike ndaj lëvizjeve të inflacionit në kahun e sipërm dhe të poshtëm të objektivit, si dhe është konsistente me komunikimet tona të mëparshme për të ndjekur një politikë monetare të udhëhequr nga informacioni i ri”.

Guvernatori Sejko tha se ekonomia shqiptare u rrit me 4% gjatë gjysmës së parë të vitit, ndërsa treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, janë në një trend pozitiv zhvillimi.

“Të dhënat zyrtare të Instat-it, tregojnë se ekonomia shqiptare u rrit me 4% gjatë gjysmës së parë të vitit. Të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se ky ritëm rritjeje do të vijojë edhe në gjysmën e dytë të vitit. Rritja ekonomike e vitit 2024 është mbështetur – në masën më të madhe – nga rritja e konsumit familjar dhe e investimeve në ekonomi. Paralelisht me të, edhe zgjerimi i eksportit të shërbimeve ka pasur një ndikim pozitiv, kryesisht në sajë të rritjes së të ardhurave të turizmit, ndërkohë që rritja e importeve, rënia e eksportit të mallrave dhe politika konsoliduese fiskale kanë pasur ndikim frenues.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA