Inside Story/ Luftë që nuk kursen askënd, tritol grave të të fortëve të Vlorës dhe zhdukje mafioze…
Pas sulmit që zgjati rreth 70 sekonda me breshëri kallashnikovi, atentatorët janë larguar drejt fshatit Golem të Shkodrës, ku i vunë zjarrin mjetit.
Një zonë e banuar, vetëm 15 min larg vendit të ngjarjes. Policia njoftoi për gjetjen e makinës së atentatorëve dhe kqyrjen e benzit të drejtuar nga Hamza Lici pas 5 orësh e 19 minutash nga sulmi i kryer.
“Nga kontrolli i ushtruar në makinën ku udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati u gjetën 3 armë zjarri, Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të zonës për kapjen e autorëve, në fshatin Golem kanë konstatuar të djegur plotësisht një automjet ‘Ranger Rover’ dhe dy armë zjarri automatike”
“Fakti që në vendngjarje të hapur e cila është 150 metër gjenden shumë gëzhoja, në mjetin e viktimave 3 armë, në mjetin e djegur të autorëve gjenden 2 armë, krijohet përshtypja që ekspertiza baltistike përcaktojnë sa armë ka pasur, shkëmbim zjarri apo kanë shtënë vetëm autorët ndaj viktimave”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.
Ekipi i Inside Story ishte një ditë pas ngjarjes në vendin ku ishte djegur makina e përdorur për atentatin ndaj Hamza Licit dhe Arlind Bushatit. Mbetjet e makinës ishin ende prezente në terren. Makina ishte djegur ngjitur me murin e një banese. Banorët, dukshëm shfaqeshin të frikësuar.
“Isha brenda nuk di asgjë se çfarë ka ndodhur. Kam dëgjuar vetëm zhurmën, por isha brenda dhe nuk di asgjë”, u shpreh banorja.
“Nuk e di, dëgjova makinën që shpërtheu. U trembëm të gjithë. Ngjarje te tilla na trembin, nuk ka siguri, por nuk di asgjë”, u shpreh banori.
Atentati i Shkodrës është i veshur me shumë mister. Policia në komunikimin zyrtar ka njoftuar se në makinën e drejtuar nga Hamza Lici dhe pasagjer Arlind Bushatin, janë gjetur 3 pistoleta. Ndërkohë zyrtarisht thuhet se të pranishëm ishin vetëm dy persona, pra, viktimat.
‘Përflitet që ka pasur shkëmbim zjarri, sidomos përmes dy armëve të gjetura të bllokuara se nuk e kanë realizuar qitjen e plotë, por krimi në Shkodër nuk luftohet më nga organet e rendit por nga organet sekrete, shërbimet inteligjente”, u shpreh Kreshnik Myftari, profesori i drejtësisë.
Top Channel