Grupi dyshohet se do të tentonin marrje të armatosur të pushtetit për të vendosur një regjim të frymëzuar nga nazizmi.
Policia në Gjermani tha se ka arrestuar tetë anëtarë të një “celule terroriste” që po komplotonin marrjen e pushtetit në Bavari e rajonet lindore të vendit, për të zbatuar “politika spastrimi nga refugjatët”, thanë mes të tjerave prokurorët.
Nacionalistët radikalë të arrestuar e quanin veten Sächsische Separatisten (Separatistët e Saksonisë) dhe u ndaluan në disa bastisje të policisë në rreth 20 vendndodhje në Gjermani, ashtu si dhe në qytetin polak Zgorzelec.
Disa vendndodhje në Austri u bastisën nga autoritetet atje, edhe pse jo të lidhura direkt me hetimet, përfshi dhe në kryeqytetin Vienë.
Prokuroria federale tha se Separatistët e Saksonisë, që arrinin nga 15 deri në 20 vetë, ishin aktivë që prej fundit të vitit 2020, të karakterizuar nga ideologji anti-qeveritare, raciste, anti-semite, anti-vaksina dhe “pjesërisht apokaliptike”, shkruan rrjeti britanik The Guardian.
Grupi përbëhej kryesisht nga meshkuj, shumë prej të cilëve të rinj dhe kundërshtojnë sistemin aktual qeveritar në Gjermani, duke besuar se atij ‘po i vjen fundi’.
“Prandaj grupi kërkonte të merrte kontrollin e disa zonave në Saksoni dhe mundësisht në shtete të tjera gjermane, të frymëzuar nga ideologji nacionalizmi socialist.
Ministrja e brendshme Nancy Faeser, vlerësonte arrestimet si një “sukses i rëndësishëm” ndaj rrymave militante.
Policia vendase prej vitit 2022 ka arrestuar një seri grupesh konspiracionistësh anti-qeveritarë të lidhur me levizjen Reichsbürger (Qytetarë të Rajhut) që gjithashtu planifikonte përmbysje të dhunshme të rendit aktual qeveritar dhe vendosje të sistemit të tyre sovran, shkruan The Guardian.
Top Channel