Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani kryesoi një delegacion që udhëtoi në Brazilia dhe Sao Paulo, Brazil për të forcuar bashkëpunimin me partnerë të rëndësishëm të fushës së zbatimit të ligjit në çmontimin e rrjeteve ndërkombëtare të krimit të organizuar.
I shoqëruar nga Arben Kraja, Adnan Xholi, Vladimir Mara, kreu i SPAK bisedoi me homologët brazilianë lidhur me bandat shqiptare të cilat trafikojnë kokainë nga Amerika e Jugut në Europë. Lajmin për vizitën e kryeprokurorit e ka bërë me dije Ambasada Amerikane.
“Kreu i SPAK dhe kolegët e tij u angazhuan me zyrtarë dhe prokurorë të policisë braziliane të nivelit më të lartë dhe shkëmbyen informacion për fuqinë dhe rolin e jashtëzakonshëm që grupet e krimit të organizuar shqiptar kanë në transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në Europë.
Zyra Tejoqeanike për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT) mundësoi vizitën, e cila u financua nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit (INL) e Departamentit të Shtetit të SHBA.
Dumanit iu bashkuan katër prokurorë të tjerë të SPAK-ut, këshilltari ligjor i SPAK-ut, një hetues i BKH-së, si dhe këshilltari ligjor amerikan dhe një agjent i FBI-së të vendosur pranë SPAK-ut”, shkruhet në njoftim.
Top Channel