Kryeministri Edi Rama, nga Selaniku, iu përgjigj akuzave se qeveria po përdor Reformën në Drejtësi për të goditur liderët e opozitës, Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Për të mohuar këto akuza, Rama tha se “reforma ka prerë edhe koka nga radhët e PS-së”.
“Duke ditur sa shumë na është dashur të bëjmë deri këtu, duke kujtuar të gjitha ato që na kanë ndodhur në rrugën këtu, mos të gabojë duke kujtuar se ajo që kemi arritur nuk kthehet përmbys nga e para, duke harruar se në këto 30 e ca vite, në Shqipëri ka pasur vetëm një forcë ndërtuese, PS. Ndërkohë, Shqipëria ka bërë vetëm hapa pas sa herë ka rënë në dorën e forcave të tjera. Askush të mos gabojë duke menduar se barazia para ligji që ka nisur të vlejë njësoj, është një arritje që nuk rrezikohet më. Garancia e vetme është forca udhëheqëse e PS.
Thonë që ne po presim kokat e krerëve të opozitës. Nëse do të ishte e vërtetë, gijotina e PS-së nuk do kishte prerë aq shumë koka nga radhët e veta. Ka dhe një ekstrem tjetër, që thonë reformën e bëri Amerikë, se Amerika aty ishte edhe para se ne t’i hynim këtij deti në këmbë dhe fuqinë e saj ndikuese e kishte po njësoj. Amerika është dhe në Mal të Zi, RMV, Kosovë, por vetëm në Shqipëri është bërë e mundur ajo që po ndodh. Nëse Amerika e kishte këtë peshqesh kaq kollaj, pse nuk na e solli më parë. Sepse as Amerika, as BE, as mund ta bënin, nëse nuk gjendet forca e brendshme që merr përsipër ta bëjë këtë proces”.
Sipas Ramës, kjo reformë u arrit edhe falë mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, “që nënshtruan rezistencën e paepur të atyre që sot ulërijnë nga penxheret e kateve të larta”, duke iu referuar kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës.
“Dua t’ju kujtoj se nuk ka asnjë diskutim që pa mbështetjen e SHBA dhe BE, nuk do ia dilnim dot kësaj reformë, sepse nuk do ta nënshtronim dot rezistencën e paepur të atyre që sot ulërijnë nga penxheret e kateve të larta. Të mendosh se kjo mund të ndodhte pa PS, është të thuash merre me lëng se mishi mbaroi. Ata që ju dalin para dhe ju toni sa e thjeshtë është, janë maskat e Sudes”.
Top Channel