Rreth 150 tonë shegë, që pritet të prodhohen në plantacionet e fshatit Bashkim në Fier, do të eksportohen drejt Hungarisë dhe Çekisë, ndërsa një pjesë do të shitet në tregun vendas.
Agronomi 75-vjeçar, Shefqet Hyka, i përkushtuar prej disa vitesh kultivimit të shegës, ka arritur të prodhojë shegë cilësore, të cilat janë shumë të kërkuara në tregjet ndërkombëtare për vlerat e tyre ushqyese dhe shëndetësore.
Pavarësisht temperaturave të larta të këtij viti, prodhimi është ruajtur pa pesticide dhe plotëson të gjitha standardet për eksport. 75-vjeçari planifikon të zgjerojë plantacionet deri në 25 hektarë për të përmbushur kërkesat në rritje të tregut evropian. Përveç konsumit, shega përdoret gjerësisht edhe në industrinë kozmetike dhe farmaceutike.
Transformimi i tokave të kripura të fshatit Bashkim, në njësinë administrative Levan, në plantacione me shegë ka kërkuar një investim të konsiderueshëm, me kosto mbi 1 milion euro. Gjysma e investimit është financuar falë skemave ndihmëse të qeverisë.
Top Channel