Fushatë në të njëjtin shtet, në të njëjtën ditë/ Harris merr Jon Bon Jovin në Karolinën e Veriut, Trump kërkon të ruajë rezultatin e para katër viteve

02/11/2024 12:27

Trump dhe Harris shkojnë në Karolinën e Veriut në fundjavën e fundit të fushatës

Demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump ndodhen sot në Karolinën e Veriut për të siguruar mbështetje në shtetin kyç juglindor vetëm tre ditë para zgjedhjeve presidenciale të së martës në SHBA.

Kjo do të jetë dita e katërt radhazi që zv.presidentja Harris dhe ish-presidenti Trump vizitojnë të njëjtin shtet në të njëjtën ditë, duke nënvizuar rëndësinë kritike të shtatë shteteve që pritet të vendosin fatin e garës, e cila, sipas sondazheve të opinionit, duket e barabartë, raportoi Reuters.

Më shumë se 70 milionë amerikanë tashmë kanë votuar, sipas Laboratorit të Zgjedhjeve në Universitetin e Floridës, një numër më i ulët se ritmi rekord i votimit të hershëm në vitin 2020 gjatë pandemisë Covid-19, por që gjithsesi tregon një nivel të lartë të entuziazmit të votuesve.

E shtuna shënon gjithashtu ditën e fundit të votimit të hershëm në Karolinën e Veriut, ku mbi 3.8 milionë vota janë hedhur, ndërkohë që pjesët perëndimore të shtetit ende po rikuperohen nga përmbytjet vdekjeprurëse të shkaktuara nga uragani Helene.

Harris planifikon paraqitje së bashku me yllin e rokut Jon Bon Jovi në Charlotte, qyteti më i madh në Karolinën e Veriut, i cili ndan vendin e dytë me Xhorxhian për nga rëndësia mes shteteve vendimtare. Secili prej tyre ka 16 vota në Kolegjin Zgjedhor, ku duhen 270 vota për të siguruar presidencën.

Karolina e Veriut mbështeti Trump në vitin 2020, por zgjodhi një guvernator demokrat në të njëjtën ditë, duke u dhënë shpresë të dy partive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA