Autoritetet serbe kanë nisur hetime lidhur me shembjen e strehës së betonit në hyrjen e një stacioni hekurudhor në Novi Sad të Serbisë, që solli vdekjen e 14 personave.

5 prej viktimave, ende nuk janë identifikuar. Episodi tragjik ndodhi të premten; moti në ato momente ka qenë i mirë dhe me diell. Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë punuar përgjatë natës për t’i nxjerrë të vdekurit dhe të plagosurit nga rrënojat prej betoni.

Në stacionin në Novi Sadin e ndodhur rreth 70 kilometra në veriperëndim të Beogradit, ishin duke u kryer punime për rinovimin e tij. Ministri i Transportit, Goran Vesic deklaroi se hetimet do të përfshijnë edhe Institutin shtetëror të Trafikut, kompani shtetërore për hekurudha, dhe një konsorcium kinez, që ka kryer punimet e rinovimit. “Hetimet do të vërtetojnë kush i ka marrë vendimet dhe kush ka vënë nënshkrimet, kush ka qenë i angazhuar për të kontrolluar cilësinë e punimeve”, tha Vesic për televizionin shtetëror. Presidenti serb Aleksandar Vucic u shpreh i prerë se përgjegjësit do të nxirren para drejtësisë.

“Ne kemi pasur përmbytje të tmerrshme, patëm situatën me koronavirusin kur humbëm mijëra njerëz. Por ndërkohë sot ende nuk dimë emrin e një vajze nga mosha gjashtë deri në shtatë vjeçare që vdiq. Për Novi Sadin dhe të gjithë Serbinë e shtuna është tre ditë zie. Ju siguroj se personat përgjegjës do të ndëshkohen.”-u shpreh Vuçiç.

Kompania shtetërore hekurudhore, Instituti shtetëror i Trafikut dhe konsorciumi kinez i përfshirë, deklaruan se pjesa e shembur e ndërtesës nuk ka qenë pjesë e rinovimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA