Fansat e Selena Gomez nga jashtë SHBA kanë mbetur të hutuar nga postimi saj i fundit në rrjetet sociale, duke mos kuptuar asgjë sesi funksionon sistemi amerikan i votës.
Disa ditë para zgjedhjeve, aktorja e serialeve kërkonte të inkurajonte ndjekësit e saj të votonin duke u treguar se “ndaloi të votonte” teksa shkonte në premierën e filmit të saj të fundit.
Në videon e shpërndarë në TikTok Gomez shihet me fustan të kuq e me taka të larta, që ndalon për të hedhur një zarf në një kuti të verdhë, ku besohet se bëhen votimet postare.
Por fansat nga jashtë SHBA shpreheshin të çuditur me veprimin, teksa një prej tyre shkruante: “Më fal por kështu votojnë amerikanët? E hedhin fletën në një kuti çfarëdo në rrugë?”
Një përdorues tjetër shtonte me ironi: “Kjo është e çuditshme për mua pasi ne këtu në Australi duhet të paraqitemi në qendrën e votimit, të regjistrojmë emrin dhe më pas të marrim fletën e votimit, që e plotësojmë në dhomën private të votimit”.
Një i tretë shtonte: “Sa kohë ka që votojnë kështu këta??? Si mund të mendojnë se kjo është një mënyrë e sigurtë për të votuar?”
Por zyrtarët në SHBA thotë se ka një arsye përse kutitë e votimit janë vendosur në rrugë, shkruan rrjeti Unilad.
Komisioni zgjedhor në SHBA thotë se kutitë e votës të vendosura në rrugë “janë lehtësira për votuesit për të dërguar votën me postë”.
“Kutitë e votës janë të sigurta dhe operohen vetëm nga zyrtarët zgjedhorë, deri para mbylljes së afatit të votimit në ditën e zgjedhjeve”.
“Kutitë janë 24 orë të hapura, të ngulitura në mënyrë të palëvizshme në vend dhe të monitoruara nga punonjësit tanë”, shtojnë autoritetet.
Top Channel