“Për Shqiptarët”/ E pabesueshme! Nëna mban në bark fëmijën e pajetë për të shpëtuar tjetrin

01/11/2024 22:00

Elizabeta dhe Eugesi janë njohur në universitet, kur të dy kanë qenë duke ndjekur studimet e larta.

Janë dashuruar dhe kanë vendosur që bashkë do krijojnë një familje të madhe. Fëmija i parë që sollën në jetë është Arger, një djalë i shëndetshëm i cili i mbushi shtëpinë dhe zemrat e tyre plot.

Elizabeta dhe Eugesi punonin shumë sepse donin që familja e tyre të bëhej edhe më e madhe dhe të sillnin në jetë një motër ose një vëlla për Argerin.

Pas 6 vitesh zbuluan se do të bëheshin sërish prindër, e këtë herë të dy binjakëve. Ishin shumë të lumtur e mezi po prisnin. Ëndrra e tyre po bëhej realitet e kishin nisur të rregullonin dhomën ku do të shtoheshin edhe dy krevatë të tjerë, por i gjithë entuziazmi që kishin u rrëzua kur kuptuan se shtatzënia kishte probleme. Në muajin e 5-të Elizabeta kuptoi se diçka nuk shkonte.

Po bënte të gjitha kontrollet e nevojshme e po merrte mjekimin që i jepej, por në muajin e 7-të fatkeqësisht një prej binjakëve ndaloi së marri frymë. Zemra e tij e vogël nuk rrahu më.

Por fëmija tjetër vazhdonte të luftonte. Mjekët iu kishin thënë se situata ishte shqetësuese, rrezikohej jo vetëm jeta e fëmijës, por edhe e nënës.

Elizabeta e kupyoi se kishte ende pak shpresë që djali tjetër të vinte në jetë dhe i vuri qëllim vetes që do bënte çdo gjë për t’ja dalë, nuk kishte rëndësi se çfarë i ndodhte asaj.

Ajo qëndroi 2 muaj rresht e shtruar në spital.

Ishte një shtatzëni shumë e vështirë, brenda saj Elizabeta vazhdonte të mbante dy fëmijë, një prej tyre ishte pa jetë, ndërsa fëmija tjetër ishte i dobët, por ende merrte frymë, e Elizabeta do luftonte bashkë me të sido që të shkonte.

Qëndroi në spital deri ditën që fëmija erdhi në jetë. Ishte dimër, jashtë ishte ftohtë e qielli ishte i bardhë, dukej sikur nga momenti në moment do binte borë, prandaj edhe ajo vendosi që djalin ta quante Boran.

Borani lindi me shumë vështirësi, por të dy ia dolën. Nuk qau kur lindi, por ishte një fëmijë shumë i shëndetshëm, 4 kg dhe kur e kujton atë moment Elizabeta thotë se ai ishte fëmija më i bukur që ajo kishte parë.

Ajo e ka mbajtur gjithë natën mbi kraharor sepse nuk donte të shkëputej nga ai asnjë moment. Kujton se ai ishte momenti që mezi e kishte pritur, e të dy kishin luftuar shumë për t’ja dalë, prandaj nuk donte ta lëshonte të voglin e saj asnjë moment, sepse e dinte se ai do e ndjente që ajo po i thoshte ‘bravo zemra e mamit që luftove. Tani do kujdeset mami për ty.’

Pas lindjes u kthyen në shtëpi, por me kalimin e javëve Elizabeta nisi të kuptonte që foshnja e saj nuk ishte si gjithë fëmijët e tjerë. Ai nuk e ndiqte me sy, nuk i hapte duart dhe nuk mund të qëndronte nëse nuk mbështetej diku. 8 muaj më vonë ajo e dërgoi Boranin e vogël të bënte ekzaminimet për të parë se çfarë nuk shkonte dhe aty mësuan se ai kishte sindromën Uest.

Fillimisht prindërit ngelën të shokuar sepse nuk kishin informacion e nuk e dinin se çfarë shkaktonte kjo sindromë, por e kuptuan që fëmija nuk lëvizte dot asnjë muskul sepse nervat ishin në gjumë. Borani nuk lëvizte dot asnjë prej gjymtyrëve e nuk ecte dot vetë.

Ata u përpoqën në shumë mënyra, duke i bërë edhe terapi por nuk kishte përmirësim. Ai ishte një fëmijë shumë i gjallë në fytyrë, qeshte sa herë shihte prindërit, por nuk shprehte dot me fjali të plota atë që ndjente. Dita më e bukur për Elizabetën dhe Eugesin ka qenë kur dëgjuan nga Borani fjalën Mami dhe Babi. Emocioni që kanë ndjerë ka qenë i papërshkrueshëm e kjo iu ka dhënë më shumë shpresë se një ditë djali i tyre do të ishte i aftë që të ecte e të lëvizte i vetëm.

Sot ai është pothuajse 9 vjeç dhe për fat të keq nuk ka pasur përmirësim. Nuk mund të kryejë dot asnjë veprim vetë, për çdo gjë duhet të jetë dikush që ta ndihmojë. Nuk mund të ushqehet vetë, nuk mund të lëvizë, por arrin të kuptojë dhe të komunikojë pak me prindërit. Ka pothuajse 1 vit që Elizabeta e dërgon në shkollë, 2 orë çdo ditë dhe Borani ka bërë shumë shokë e shoqe.

Kanë qenë 9 vite të vështirë por Elizabeta dhe Eugesi ia kanë dalë falë dashurisë që kanë për njëri tjetrin e për fëmijët. Kjo dashuri iu ka dhënë forcë mos të dorëzohen. Sa herë që një prej tyre demoralizohet, tjetri ka qenë aty për t’i dhënë zemër e për t’i thënë se gjërat do të bëhen mirë.

Kur flet për djalin e saj, Elizabetës i shkëlqejnë sytë. Thotë se Bori i saj i vogël është një dashuri, një dashuri e madhe, një fëmijë që të fal buzëqeshje, të largon çdo lloj mendimi negativ. Thotë se ai i ka mësuar të sillen me njëri tjetrin, të vlerësojnë jetën sepse ndonjëherë njeriu i harron gjërat e rëndësishme dhe që kanë vërtet vlerë. Kur ajo e pyet ‘Çfarë të ka mami? Ai i përgjigjet dashuri’ dhe ashtu është. Ai është dashuria e tyre më e madhe dhe së bashku do vazhdojnë të luftojnë për t’ja dalë që Arbori të ngrihet në këmbë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA