Viktimat e pafajshme! Ngjarjet që shkaktojnë më shumë tronditje për shoqërinë

31/10/2024 15:34

Ngjarja e ndodhur një ditë më parë në Dobraç të Shkodrës, ku një atentat i mori jetën tre personave dhe plagosi rëndë një të katërt, risolli dhe njëherë në vëmendje faktin e trishtë, se krimi nuk po kursen as të pafajshmit.

Çifti Basha, po udhëtonin dje me motor, teksa u përplasën nga makina e autorëve, të cilët humbën kontrollin e automjetit pas breshërisë së plumbave në drejtim të Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.

Ngjarje të tilla sjellin tronditje në shoqëri, pasi vihet në dyshim siguria për jetën.

“Janë njerëz të pafajshëm. Kur krijohet kjo lloj gjendje te njerëzit, krijohen dy dyshime kryesore. Sistemi i sigurisë, pra individi tronditet në kontekstin e sigurisë por dhe amplifikohet inati. Vërtet piesa tjetër e shoqërisë nuk është pjesë e këtyre eksperiencave traumatike por në mënyrë indirekte marin emocione negative. Traumat aplifikohen dhe nxisin te njerëzit ose përshpejtojë disa nga vështirësit e mëdha për të cilat ne flasim sot për shëndetin mendor, tha psikologia Eksena Qirici.

Psikologia arsyeton se përfshirja e të pafajshmëve në situata ku u rrezikohet jeta, është një tjetër faktor që po rëndon shëndetin mendor të individëve në shoqërinë shqiptare.

“Gjithmonë e më shumë duhet të theksojmë që shëndeti ynë mendor është në atë lloj faze që ka nevojë të trajtohet pra nuk duhet më ta shohim si diçka që e ke luks por si një detyrim ndaj një marrëdhënie pozitive sociale. Prandaj sot është e rëndësishme sepse dhe këto ngjarje tregojnë që shëndeti ynë mendor ka vite që dëmtohet nga marrëdhënie, ngjarje dhe trauma të kësaj natyre”, u shpreh psikologia.

Një tjetër ngjarje që i mori jetën një të pafajshmi, ishte ajo në Elbasan më 14 korrik. Tritoli i vendosur për dy motrat Nikolli, plagosi rëndë Enea Thomarajn, që jetonte në banesën ngjitur. Ky i fundit humbi jetën në fillim të muajit tetor, pasi luftoi për 3 muaj në spital. Po ashtu, në një tjetër atentat në korrik të këtij viti në Memaliaj, mbetën viktima tre persona, dy prej të cilëve ishin kamarier dhe klient në lokalin ku u lëshua breshëria e plumbave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA