Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj kompanisë serbe, Ventrade, dhe ndaj International Business Corporation Bar (IBC), me bazë në Mal të Zi, për shkak të eksportimit të mallrave me përdorim të dyfishtë në Rusi, të cilat mund të përdoren në industrinë e mbrojtjes.
Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha përmes një deklarate se Ventrade i ka shitur Rusisë radio të kategorisë ushtarake, ndërkaq IBC ka transferuar pajisje të përpunimit dhe kushineta të topave te kompanitë ruse, përfshirë te një kompani që është nën sanksione amerikane.
Sipas të dhënave të tregtisë të kompanisë Ventrade, kompani e themeluar në prill të vitit 2022, pak pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, kjo firmë eksportoi radio në Rusi në vlerë prej 570.000 dollarësh. Këto eksporte ishin bërë në periudhën shtator 2022 deri në qershor 2023 përmes Gjermanisë, Malajzisë, Austrisë, Kinës dhe Meksikës.
Që nga viti 2021, IBC është në pronësi të shtetasit rus me bazë në Mal të Zi, Sergei Kokorev, dhe kjo kompani ka rritur fitimet më 2023 me rreth 1 milion dollarë.
Pesë firma të tjera serbe – MCI Trading, Kominvex, Goodforwarding, Soha Info dhe TR Industries – po ashtu veçse janë nën sanksione nga OFAC për shkak të bashkëpunimit me Rusinë.
Mali i Zi ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ndërkaq Serbia, pavarësisht se është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk i është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian kundër Rusisë./REL
Top Channel