Genti Nderjaku është lënë në “arrest shtëpie” nga GJKKO, pasi ndaj tij kanë përfunduar afatet e paraburgimit.
Nderjaku, i akuzuar për trafik droge, dyshohet se ishte pjesë e grupit kriminal që organizoi sulmin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku.
Për këtë ngjarje janë dënuar me burgim të përjetshëm Redjan Rraja, nip i ish-deputetit Rrahman Rraja dhe me 35 vite burg Ariol Halili, ndërsa bashkëpunëtorët kanë marrë dënime më të lehta.
Njoftimi i GJKKO:
Kërkuesi Genti Nderjaku (i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimi I narkotikëve” kryer në formën e veҫantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28/4 të Kodit Penal, atribuar me date 18.07.2023) me datë 28.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt:
“Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit, për shkak të mbarimit të afatit të paraburgimit”. Po ashtu, kërkuesi Julian Pjetri (i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimi i narkotikëve” kryer në formën e veҫantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28/4 të Kodit Penal, atribuar me datë 18.07.2023) me datë 28.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt:
“Shuarje e masës së sigurimit, për shkak të humbjes së fuqisë së paraburgimit”. Kërkesat e mësipërme janë bashkuar në një të vetme me vendim të ndërmjetëm, të dates 30.10.2024.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 263, 1 pika “c”, 266 pika 1 të K.Pr.Penale, si dhe në vendimin Nr. 195, datë 24.07.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me vendimin Nr. 610, datë 30.10.2024, vendosi:
Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit, konkretisht të masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale caktuar ndaj personit nën hetim Genti Gani Nderjaku, me Vendimin Nr. 308, datë 21.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe zgjatuar me vendimin Nr. 439, datë 16.07.2024 të kësaj Gjykate, për shkak të kalimit të afateve të paraburgimit gjatë hetimeve paraprake.
2. Bazuar në nenin 266 pika 1 të K.Pr.Penale caktimin ndaj personit nën hetim Genti Gani Nderjaku, të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
3. Detyrohet personi nën hetim Genti Gani Nderjaku të mos largohet nga banesa e tij me adresë: ****.
4. Detyrimin e personit nën hetim Genti Gani Nderjaku, të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të.
5. Zbatimi dhe mbikëqyrja e kësaj mase të bëhet nga oficerët e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e personit nën hetim Genti Gani Nderjaku.
6. Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit, konkretisht të masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale caktuar ndaj personit nën hetim Julian Ndue Pjetri, me Vendimin Nr. 308, datë 21.07.2023 të
Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe zgjatuar me vendimin Nr. 439, datë 16.07.2024 të kësaj Gjykate, për shkak të kalimit të afateve të paraburgimit gjatë hetimeve paraprake.
7. Bazuar në nenin 266 pika 1 të K.Pr.Penale caktimin ndaj personit nën hetim Julian Ndue Pjetri, të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
8. Detyrohet personi nën hetim Julian Ndue Pjetri të mos largohet nga banesa e tij me adresë: ****.
9. Detyrimin e personit nën hetim Julian Ndue Pjetri, të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të.
10. Zbatimi dhe mbikëqyrja e kësaj mase të bëhet nga oficerët e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e personit nën hetim Julian Ndue Pjetri.
11. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
12. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Tiranë, më datë 30.10.2024
Top Channel