Duke përdorur zhargonin e futbollit, presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko tha se lufta e Rusisë kundër Ukrainës mund të përfundojë me “barazim”.
“Ukraina nuk do të fitojë në fushën e betejës. Ukrainasit dhe Perëndimi e kuptojnë këtë. Kështu që ata duhet të ndryshojnë pozicionet, duhet të arrijnë një marrëveshje”, tha Lukashenko në një konferencë të sigurisë në Minsk.
“Nëse duhet të bëhet menjëherë, mund të përfundojë në barazim. Unë përdor zhargonin sportiv tani”, tha ai.
Lukashenko, një aleat i Kremlinit, nuk elaboroi se si mund të arrihet një zgjidhje e tillë, por iu referua negociatave ruso-ukrainase të zhvilluara menjëherë pas fillimit të pushtimit rus në 2022.
Moska i ka portretizuar bisedimet e vitit 2022 si afër një marrëveshjeje, duke sugjeruar se Ukraina kishte pranuar statusin e neutralitetit.
Megjithatë, kjo do të kufizonte aftësitë mbrojtëse të Ukrainës kundër Rusisë dhe çështja e territoreve të pushtuara do të mbetej e pazgjidhur.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, duke iu referuar deklaratës së Lukashenkos, tha se një kompromis nuk është i pranueshëm. Një barazim nuk do të mbronte në mënyrë adekuate interesat e të gjitha palëve të përfshira, tha ai në Minsk.
Top Channel