Kjo datë duhet të ishte një ditë e zakonshme për Gjergj Ndërshtiqajn që kishte marrë leje nga Akademia e Policisë ku studionte për tu bërë oficer. Atë të marte, 30-vjeçari dhe familja e tij kishin hapur dyert për të pritur njerëzit me rastin e 1 vjetorit të ndarjes nga jeta të gjyshit.
Në mbrëmje, Gjergji së bashku me kunatin e tij, Gjon Leka marrin makinën e një miku dhe largohen nga lokali ku konsumuan kafe. Ata po shkonin drejt parkimit ku oficeri i policisë kishte parkuar veturën e tij.
Katër autorët e atentatit, të maskuar, ndoqën me makinën e tyre, mjetin ku udhëtonte polici për rreth 3 km. Në momentin që makina e oficerit ndalet, ky i fundit pasagjer, zbret dhe menjëherë vë re lëvizje të çuditshme në drejtim të tij.
Nga makina e atentatorëve zbresin 3 pasagjerët e maskuar që nisin furinë e plumbave të kallashnikovit në drejtim të Ndërshtiqajt dhe kunatit, Gjon Leka. Ky i fundit vrapon menjëherë sapo del nga makina, duke u shoqëruar nga breshëria e plumbave, ndërsa efektivi i ri i policisë fshihet pas makinës.
Furia e kallashnikovëve bën që automjeti të shpërthejë. Flaka largon atentatorët, ndërsa fatmirësisht Ndërshtiqaj dhe Leka arrijnë të mbijetojnë. 106 plumba u lëshuan në drejtim të dy të plagosurve.
Gjergj Ndërshtiqaj mori 3 plumba. Një në krah, një në gju dhe një në kofshë. 30-vjecari ka bërë dy operacione të rrezikshme. 3 proteza metalike dhe 21 vida janë vendosur në këmbën e tij të majtë, që dukshëm ka mbetur me pasoja. I riu ka qëndruar një muaj e gjysmë në regjim shtrati, 1 muaj e gjysmë me paterica, ndërkohë tashmë ecën me vështirësi. Gjon Leka mori dy plumba. 1 në këmbë dhe 1 në brinjë.
Objektivi i atentatit të marsit të 2024 dyshohet se ishte Gjergj Ndërshtiqaj për shkak të profesionit. I riu në vitin 2020 ka punuar si patrullë e përgjithshme. Nga maji i 2021 deri në vitin 2023 ka punuar si SPZ në zonën e Shoshit. Një prej aktiviteteve kryesore të punës së tij ishte zbulimi dhe asgjësimi i fushave me kanabis sativa. Një veprimtari shumë e përhapur dhe e njohur në zonë, por si duket i ka sjellë dhe konflikte policit të ri.
Nga viti 2023 ndiqte studimet e Akademisë së Policisë për oficer. Momentalisht, Prokuroria e Shkodrës vazhdon hetimet për atentatin ndaj Ndërshtiqajt, por nuk ka arritur të zbardhë autorët e ngjarjes.
Është regjistruar procedim penal, për veprën penale të parashikuar nga nenet 152 dhe 278 të Kodit Penal. Janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe aktualisht çështja është akoma në hetim.
Top Channel