“BE, kushtet për 920 milionë euro”, ambasadori i BE flet për TCH: Fondet s’janë çek bosh, i përfitoni duke realizuar reformat

30/10/2024 20:06

Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, në një intervistë ekskluzive për Top Channel tregon se 920 milionë euro nga Bashkimi Europian për Shqipërinë nuk janë një çek bosh, por ato do të përfitohen nëse realizohen reformat e anëtarësimit në BE.

“Pra, është një mënyrë e mirë për t’u përgatitur për të përballuar më pas konkurrencën ndaj të cilës do të ekspozoheni pasi të bëheni pjesë e tregut të përbashkët. Por, gjithashtu, u ofron atyre mjetet financiare për të bërë ato reforma që sigurojnë se ekonomia mund ta durojë presionin. Dhe këtu vijnë 920 milionët. Por nuk është një çek bosh. Janë paratë që do të paguhen pasi Shqipëria të ketë plotësuar të gjitha kushtet e sakta. Këto janë publike”, thotë Gonzato.

Gazetari Muhamed Veliu: Zoti Ambasador, së pari, shumë faleminderit për këtë intervistë në Top Channel. Do të doja ta nisja duke ju pyetur, Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Tiranë, tha se nga Plani i Rritjes së BE-së Shqipëria do të marrë 920 milionë Euro. Ju lutem, mund të shpjegoni se si do t’i jepen Shqipërisë dhe si do të përdoren?

Ambasadori Silvio Gonzato: Më lejoni të bëj një hap prapa, sepse vizita e Presidentes von der Leyen nuk kishte të bënte vetëm me Planin e Reformës dhe të Rritjes, megjithëse ajo që thatë është e saktë. Vizita e saj, siç edhe ia thashë, ndodhi në një moment kur yjet janë linjëzuar për Shqipërinë. Ne sapo hapëm negociatat reale, negociatat për grupkapitullin e themeloreve, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme në procesin e anëtarësimit. Sapo kemi miratuar një Agjendë Reformash të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, e cila është kushti për fillimin e financimit përmes Instrumentit të Reformave dhe Rritjes dhe, për rrjedhojë, për të përfituar ato 900 milionët që përmendët. Dhe sigurisht, vizita u bë edhe në momentin kur përuruam vitin akademik të Kolegjit të Evropës.

Është simbolike, por mendoj se është shumë e rëndësishme. Është një tjetër element i këtij “linjëzimi yjesh” që për momentin po ndodh këtu në Shqipëri. Unë do të doja të flisja së pari për negociatat e anëtarësimit, sepse në fund të fundit, Plani i Reformave dhe Rritjes ka për qëllim të përshpejtojë dhe mbështesë procesin e anëtarësimit. Dhe hapja e grupkapitullit të themeloreve do të thotë që Shqipëria tani duhet t’i marrë seriozisht reformat në fusha vendimtare, qoftë konsolidimi i reformës në drejtësi të vitit 2016, qoftë lufta kundër korrupsionit. Pastaj duhet të shohim me të vërtetë anën parandaluese, të shikojmë sektorët e brishtë dhe të shohim se si mund t’i trajtojmë ato situata që janë të favorshme për korrupsion.

Të shohim kontrollet dhe balancat në vend dhe të sigurohemi që çdo institucion t’i kryejë detyrat e veta në mënyrë të pavarur dhe që pavarësia të respektohet. Pra, ky proces do të thotë se nuk mund të ketë më hezitime. Kur një ligj diskutohet në parlament, në Kuvendin e Shqipërisë, parametri, synimi, objektivi, matësi duhet të jenë standardet e BE-së, acquis e BE-së. Nuk mund t’i biem rrotull dhe të themi se na duhet më shumë kohë për t’u përshtatur ose për të arritur standarde të caktuara. Ky është objektivi. Sepse ky është vullneti i popullit shqiptar.

 Kjo është ajo që ata duan të shohin të ndodhë. Dhe BE-ja i është përgjigjur kësaj me një ofertë shumë konkrete. Oferta është që ne mund t’i hapim të gjithë kapitujt deri në fund të vitit 2025. Është ambicioze, por është e mundur. Por kjo do të thotë që të gjitha burimet, energjitë dhe vëmendja duhet të përqendrohen tek ai qëllim. Dhe duhet të ketë konsensus të qartë politik. Plani i Reformave dhe Rritjes ishte gjithashtu një përgjigje e Bashkimit Evropian ndaj kësaj thirrjeje për përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Dhe logjika e tij është se, nga njëra anë kërkon t’u mundësojë vendeve të rajonit të fillojnë të përfitojnë nga disa aspekte të tregut të përbashkët përpara anëtarësimit. Pra, është një mënyrë e mirë për t’u përgatitur për të përballuar më pas konkurrencën ndaj të cilës do të ekspozoheni pasi të bëheni pjesë e tregut të përbashkët. Por, gjithashtu, u ofron atyre mjetet financiare për të bërë ato reforma që sigurojnë se ekonomia mund ta durojë presionin. Dhe këtu vijnë 920 milionët. Por nuk është një çek bosh. Janë paratë që do të paguhen pasi Shqipëria të ketë plotësuar të gjitha kushtet e sakta. Këto janë publike.

Agjenda e Reformës është konsultuar me njerëzit dhe tani do të publikohet në formën e saj përfundimtare. Këto janë angazhime shumë konkrete të ndërmarra nga qeveria në katër fusha, konkretisht: kapitali njerëzor, mjedisi i biznesit, tranzicioni digjital dhe i gjelbër, si dhe sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë. Dhe kjo do të ketë edhe një ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve shqiptarë. Pra, do të ketë një pagesë të parë që do të jetë një lloj çeku fillestar për të nisur reformat. Më pas, dy herë në vit, do të ketë pagesa të cilat lidhen me plotësimin e kushteve specifike.

Më lejoni të them edhe një gjë: që me fillimin e negociatave të vërteta tani, Shqipëria nuk do të duhet të tregojë më vetëm vendosmëri në ndjekjen e reformave, por do t’i nënshtrohet edhe një shqyrtimi shumë më të hollësishëm, më të kujdesshëm nga Brukseli. Dhe kur kam parasysh Brukselin, nuk kam parasysh vetëm BE-në. E kam fjalën edhe për shtetet anëtare të BE-së. Sepse ju e dini që, në fund të fundit, vendimi nëse një vend mund të anëtarësohet në BE apo jo është një vendim që merret nga të 27 vendet. Pra, për këtë, duhet të sigurojmë vërtet që performanca të jetë konsistente, që nuk ka kontradikta, që nuk ka zgjedhje që mund të kritikohen në dritën e asaj çka është acquis e BE-së.

Gazetari Muhamed Veliu: Zoti Ambasador, si do të menaxhohen këto 920 milionë euro? Kush do ta menaxhojë këtë shumë parash, qeveria shqiptare apo përmes projekteve të BE-së?

Ambasadori Silvio Gonzato: Jo, është përmes qeverisë shqiptare. Më lejoni të them, se shuma totale e Planit të Reformave dhe të Rritjes është 6 miliardë euro, 2 miliardë janë garante dhe 4 miliardë janë kredi koncesionare. Pra, është një përzierje. Dhe gjysma e parave do të kalojë përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor. Pra, këto janë para për projekte të mëdha, projekte të mëdha infrastrukturore, por ndonjëherë edhe për investime në kapitalin njerëzor. Pra, gjithçka që ka të bëjë me arsimin, aftësitë, formimin profesional. Sepse nëse doni një ekonomi të begatë, nuk është vetëm çështje e infrastrukturës, është edhe çështje softueri, le të themi. Dhe softuer do të thotë, siç e dini, aftësitë që kanë njerëzit. Pra, kjo do të derdhet në buxhetin shqiptar. Dhe ne do ta monitorojmë zbatimin përmes një sërë treguesish dhe përmes përmbushjes së kushteve që janë në Agjendën e Reformave.

Gazetari Muhamed Veliu: Zoti Ambasador, sapo përmendët ambicien për hapjen e të gjithë kapitujve deri në vitin 2025. Por cili është qëndrimi në Bruksel lidhur me faktin që Shqipëria të nisë hapjen e kapitujve të tjerë në muajt e ardhshëm?

Ambasadori Silvio Gonzato: Mendoj se shtetet anëtare janë të hapura. Por, ju e dini, ata duhet të jenë të bindur se Shqipëria është gati për këtë. Grupkapitulli tjetër që mund të hapet mund të jetë i gjashti, që ka të bëjë me marrëdhëniet e jashtme. Dhe këtu mendoj se të gjithë e dinë se sa e përafruar është Shqipëria me politikën e përbashkët të sigurisë së jashtme të BE-së. E kam parë vetë në Nju-Jork, kur kam qenë në Kombet e Bashkuara. Pashë sesi Shqipëria po vepronte si të ishte një shtet tjetër anëtar i Bashkimit Evropian në Këshillin e Sigurimit. Kështu që mendoj se, me gjasë, do të jetë një hap i lehtë përpara. Për pjesën tjetër, do të shohim. Shqipërisë do t’i duhet të dalë me një argument bindës se është gati të nisë negociatat për ata kapituj të veçantë. Ato do të gjykohen nga meritat e tyre, jo për ndonjë gjë tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA