Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Itali, u takua sot me Presidentin e Dhomës së Deputetëve, Lorenzo Fontana, dhe me Presidentin e Senatit, Ignazio La Russa.
Në takime ishin të pranishëm deputeti Arben Pëllumbi, Kryetar i Grupit NdërParlamentar të Miqësisë Shqipëri-Itali,
deputetja Blerina Gjylameti, anëtare e këtij grupi, dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri Lani.
Kryetarja Spiropali vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë dhe angazhimin për thellimin e Partneritetit Strategjik, bazuar në marrëdhëniet e qendrueshme historike, kulturore, ekonomike dhe njerëzore mes vendeve e popujve tanë.
Znj. Spiropali u shprehu Presidentit Fontana dhe Presidentit La Russa mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Italisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe bindjen për vijimin e kësaj mbështetjeje edhe gjatë zhvillimit të negociatave, pas Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE të 15 tetorit.
Marrëveshja për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore dhe pensioneve, e cila pritet të ratifikohet së shpejti nga Dhoma dhe Senati Italian,tregon se bashkëpunimi mes parlamenteve, qeverive e institucioneve të të dy vendeve u shërben qytetarëve.
Protokolli për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit është një angazhim i Shqipërisë për frenimin dhe kontrollin e emigrimit të parregullt si edhe kontribut për zgjidhjen e problemeve në sistemin global të emigracionit.
Si partnerë dhe aleatë në NATO, me një të ardhme të përbashkët në BE, Shqipëria dhe Italia ndajnë qëndrime të përbashkëta në çështjet e politikës ndërkombëtare dhe mbrojtjen e paqes.
Kryetarja Spiropali dhe Presidentët Fontana dhe La Russa vlerësuan rolin e komunitetit shqiptar në Itali, të komunitetit arbëresh dhe diasporës së re si edhe të qytetarëve italiane në Shqipëri, si ura bashkëpunimi e miqësie mes dy vendeve.
Marrëdhëniet ndërparlamentare intensive mes Kuvendit dhe Dhomës së Deputëtëve e Senatit të Italisë nxisin bashkëpunimin mes qeverive, institucioneve dhe qytetarëve. Marrëveshja mes Kuvendit dhe Dhomës së Deputetëve nënshkruar në vitin 2022, është një mekanizëm që nxit këtë bashkëpunim.
Kryetarja Spiropali dhe Presidentët Fontana e La Russa diskutuan edhe për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik me Italinë, si partneri i parë tregtar dhe një nga donatorët kryesorë dypalësh të Shqipërisë, bashkëpunimin në fushat e arsimit, kulturës, ruajtjes së trashëgimisë unike arbëreshe, mësimin e gjuhës shqipe në shkollat dhe universitetet italiane etj.
Top Channel