Ditën e sotme Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov u takua me Besart Kadia, ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Shqipërisë në Azerbajxhan.
Ministri e uroi Kadiun për detyrën e re dhe i uroi atij suksese në aktivitetet e ardhshme. Gjatë takimit u diskutuan çështje aktuale të bashkëpunimit dypalësh midis dy vendeve. Në qendër të diskutimeve ishte politika, ekonomia, siguria energjetike, transporti dhe komunikimi, investimet, turizmi, etj.
Ministria e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit në një postim në rrjete sociale, shkruan se bashkëpunimi aktual mes dy vendeve është i kënaqshëm. “Veçanërisht projektet strategjike të energjisë dhe transportit të zbatuara me iniciativë të vendit tonë kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin e marrëdhënieve”, thuhet më tej.
Në takim është theksuar rëndësia e bashkëpunimit reciprok, mbështetjes dhe solidaritetit të dy vendeve në kuadër të një sërë organizatash rajonale dhe ndërkombëtare për nismat e përbashkëta dhe parandalimit të veprimeve të ndërmarra kundër vendeve tona. Në takim u shkëmbyen mendime edhe për çështje të tjera me interes të përbashkët, shkruhet në postim.
Top Channel