Shtatë qytetarë nga vende të ndryshme të botës, u betuan për shtetësinë shqiptare. Mes tyre ishte dhe kampionia olimpike e Kubës në hedhjen e çekiçit, Yipsi Moreno.
Kryebashkiaku Erion Veliaj shprehu krenarinë për Tiranën si qyteti i mundësive edhe për shtetas të huaj.
“Jam krenar se si Tirana po kthehet gjithmonë e më shumë një vend i mundësive, për ata që e shohin këtu jetën e tyre, karrierën dhe të ardhmen e tyre. Sot betohen për shtetësinë shqiptare njerëz që vijnë nga Kolumbia e Kuba, e deri te Europa e Azia, të cilët bëhen pjesë e skuadrës “Team Albania”. Ky është ndoshta momenti ynë më i mirë, momenti më i mirë i kësaj skuadre.”
Veliaj vuri në dukje se sot shumë sportistë nga vende të tjera të botës vijnë për të triumfuar për Shqipërinë, ndryshe nga sa ndodhte vite më parë.
“Aty ku njerëzit punojnë si skuadër dhe i thonë njëri tjetrit: “Bravo, ec përpara”, aty ka sukses. Aty ku secili merret me punët e tjetrit dhe pengon tjetrin në vend që ta shtyjë, aty humbasim kohë të çmuar. Këto ditë jemi duke folur për reformën e pensioneve dhe se si në shumë shtete ka lindur nevoja që, pasi bëhesh shtetas, të transferosh vitet e punës në vendin ku ke jetuar me vitet e punës që do kesh në Shqipëri. Jemi në këtë kontekst, të një reforme të madhe të pensioneve, por edhe të një hapje të madhe të sportit. Ka nga ata që thonë: “Çfarë ndodh me sportistët tanë? Pse duhet të kemi edhe sportistë nga vende të tjera?” Sot në Tiranë jetojnë 144 kombësi. Kjo do të thotë se ky qytet është shumë herë më kozmopolitan. Për shumë prej nesh, që janë ndjerë keq në vitet ‘90 kur sportistët tanë elitarë ngrinin flamurin e një shteti tjetër, sot gjërat kanë ndryshuar”.
Top Channel