Xhafaj zbulon prapaskenat me refuzimin e institucioneve të Drejtësisë: Do jenë pjesë e tryezës, mund të preket Kushtetuta

28/10/2024 15:10

Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të posaçëm parlamentar për mirëqeverisjen dhe antikorrupsionin pranoi sot për herë të parë se mund të ketë ndryshime kushtetuese për sa i përket institucioneve të drejtësisë edhe pse u kujdes të theksonte se kolonat e reformës në drejtësi do të mbeten të paprekshme.

Sipas tij, ndryshimet kushtetuese do të shqyrtohen nëse do të ketë propozime nga grupi i ekspertëve qe ka miratuar komisioni që Xhafaj drejton dhe me pjesëmarrjen vetëm të shumicës socialiste.

“Sa shoh unë nuk ka të tilla, por konsultimi mund të nxjerrë nevojë për ndryshime. Nga drafti që është nuk shoh propozime për ndryshime kushtetuese. Shoh nevojën për ndryshime ligjore dhe institucionale. Ky është proces, mund të ketë propozime gjatë debatit, dhe mund të arrihet që të ketë edhe të tilla. S’ka kufizime edhe për një komision të posaçëm”, vijoi më tej Xhafaj.

Mospërfshirjen e shumicës të organeve të drejtësisë duke mos çuar përfaqësues në komisionin e posaçëm parlamentar për mirëqeverisjen dhe antikorrupsionin, Fatmir Xhafaj e komentoi jo si refuzim ndaj kuvendit.
I pari këtij komisioni shpjegoi prapaskenat e kësaj mospërfshirje duke shpresuar, se në momentet kur do të diskutohen propozimet e ndryshimeve ligjore, të bëra nga vetë organet e drejtësisë, ato do ti bashkohen këtij komisioni.

“Sa i përket ndryshimeve kushtetuese për drejtësinë nuk ka të tilla. Nëse do ta kërkojnë ata po. SPAK ka kërkuar vetë të ndryshojë ligji i tij për disa kërkesa që ata kanë. Vetë institucionet e drejtësisë kanë kërkuar 120 ndryshime”.

Fatmir Xhafaj premtoi se gjithçka e prodhuar nga ky komisionin do t’i çohet për konsultim, të gjitha organeve të drejtësisë. Theksoi se sistemi drejtësisë shqiptare, shkon përtej drejtuesve të këtyre institucioneve.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA