Vepra e bananes së ngjitur në mur mund të shitet për 1.5 milion në ankand, por çfarë do të marrë blerësi në të vërtetë?!

28/10/2024 09:29

Pesë vjet pas krijimit të veprës së artit “Comedian” të Maurizio Cattelan, i përbërë nga një banane e ngjitur në një mur, ajo mund të arrijë 1.5 milion dollarë kur të dalë në ankand nga Sotheby’s në qytetin e New Yorkut muajin e ardhshëm.

Megjithatë, ajo që ju merrni në të vërtetë për shumën marramendëse nuk është banania origjinale.

Kjo pasi artisti nuk mund të instalojë veprën me frut në shtëpinë e atij që e blen atë. Në vend të kësaj, ai do të marrë një certifikatë autenticiteti, për të dhënë udhëzime të hollësishme se si ta realizoni veprën.

Plus, blerësi do të marrë një banane të re dhe një ngjitës. Cattelan fillimisht krijoi tre “Comedian” për Art Basel Miami, duke blerë tre banane për më pak se një dollar në një dyqan ushqimor lokal.

Dy nga veprat u shitën më pas për 120,000 dollarë, ndërsa e treta iu dhurua Muzeut Guggenheim. Tani, “Comedian”, i cili do të shfaqë një banane të freskët dhe një shirit të ri ngjitës, po shkon në një “turne global”, duke u ekspozuar në galeritë e Sotheby’s anembanë botës përpara ankandit në New York City më 20 nëntor. Kritikët e artit kanë theksuar se përfaqësimi i “Comedian” nuk është vetë vepra, përkundrazi thonë se ajo vepër shtron pyetje dhe ide rreth asaj që në të vërtetë përbën “art”.

Rikujtojmë se, pak muaj më parë një student arti nga Universiteti Kombëtar i Seulit vendosi të bënte të papriturën me një vepër ikonë të artistit italian Maurizio Cattelan, nga një mur në Muzeun e Artit Leeum në Seul. Vepra ishte pikërisht një banane e ngjitur në mur dhe studenti vendos ta marrë dhe ta hajë atë. Sipas burimeve, studenti i tha muzeut se e hëngri sepse ishte i uritur. Pasi e copëtoi frutin, studenti koreano-jugor e ngjiti lëvoren përsëri në mur. Lëvorja u zëvendësua më vonë nga muzeu me një banane të freskët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA