Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali është pritur në një takim nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Spiropali thotë se i shprehu Shenjtërisë së Tij “falënderim të thellë për kontributin e paçmuar që ka dhënë në mbrojtjen dhe lartësimin e vlerave të humanizmit solidaritetit, drejtësisë shoqërore e paqes, për dashurinë e Tij për Shqipërinë’.
“Sot pata nderin e rrallë dhe kënaqësinë e jashtëzakonshme të pritem në audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.
Krahas mirënjohjes për këtë takim të paharruar, i shpreha Shenjtërisë së Tij falënderim të thellë për kontributin e paçmuar që ka dhënë në mbrojtjen dhe lartësimin e vlerave të humanizmit, solidaritetit, drejtësisë shoqërore e paqes, për dashurinë e Tij për Shqipërinë, e cila i ka dhënë botës Shën Terezën, për bekimin e 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare, për kujdesin e veçantë për besimtarët dhe bashkëjetesën e tolerancën fetare në vendin tonë, të cilën Ati i Shenjtë e ka vlerësuar “Një trashëgimi historike e njerëzimit”.’-shkruan Spiropali.
Vizita e Spiropalit në Vatikan përkon me 10-vjetorin e ardhjes në Shqipëri të Atit të Shenjtë, Papa Françesku.
Top Channel