Nga Eduard Zaloshnja
President në SHBA nuk zgjidhet ai/ajo që merr më shumë vota në rang kombëtar, por ai/ajo që merr më shumë vota në disa shtete kyçe të federatës, që dërgojnë elektorë përcaktues në Kolegjin Elektoral (i cili përbëhet nga 538 elektorë, në përpjestim të përafërt me popullsinë e çdo shteti të federatës amerikane). Historia elektorale 250-vjeçare e SHBA-së njeh plot raste kur një kandidat presidencial nuk i është afruar dot 50% të votave në rang kombëtar, por ka patur mjaftueshëm elektorë në Kolegjin Elektoral, për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë.
Aktualisht, në 47 shtete (nga 50 të federatës amerikane), historia elektorale dhe sondazhet e përditshme na tregojnë se fituesi në secilin prej tyre (majtas apo djathtas) është pothuaj i paracaktuar statistikisht (falë sistemit elektoral që është ngulitur në kushtetutën 250 vjeçare amerikane).
Si rrjedhojë, Kamala Harris mund ta sigurojë qendrimin në Shtëpinë e Bardhë edhe me vetëm 0.00001% epërsi në secilin nga këto 3 shtete: Pennsylvania, Michigan e Wisconsin. Pavarësisht se çfarë ndodh në 47 shtetet e tjera të federatës amerikane (diku fitore më e thellë e Kamalës, dhe diku humbje më e thellë e saj), fitorja në secilin nga këto 3 shtete, qoftë edhe me 0.00001%, i siguron Kamalës Shtëpinë e Bardhë!
Nga një model simulacioni statistikor me 10 mijë simulacione, që ndërtova për 3 shtetet e sipërpërmendura (bazuar në të dhënat e hollësishme elektorale të kontevè përbërëse të tyre në periudhën 2016-2022, si dhe të sondazheve të derisotme), me rezultoi se po të zhvilloheshin zgjedhjet sot në Pennsylvania, Kamala humbiste në 5007 simulacione (nga 10 mijë gjithsej). Në Michigan, fitonte në 5071 simulacione (nga 10 mijë gjithsej). Ndërsa në Wisconsin, fitonte në 5085 simulacione (nga 10 mijë gjithsej).
Në gjuhën e statistikës dhe të basteve, kjo situatë e Kamalës quhet kokë-a-pilë (toss-up, në anglisht). Të shohim sesi do të ndryshojë situata ditore deri më 5 nëntor…
Top Channel