“Takimet muzikore të dy botëve” është rikthyer në edicionin e tij të 15-të në kalanë e Gjirokastrës.
Eventi përfaqëson një lëvizje kulturore të hershme për vitalizimin e monumenteve duke i kthyer ato në stacione për muzikën dhe artin.
Këtë herë performanca e violinçelistit Pjetër Guralumi me gjashtë suitat e Bahut solli momente të rralla nën harqet e kështjellës.
“Sot po mbyllim edicionin e 15-të të “Takime muzikore të dy botëve” në kalanë e Gjirokastrës atje ku e kemi nisur para 17 vjetësh në vitin 2007 me Inva Mulën dhe Tedi Papavramin. Në 17 vite kemi rrugëtuar nëpër monumente, parqe arkeologjike sepse qëllimi ynë është pikërisht, rijetëzimi, sjellja e muzikës dhe aktiviteteve të të ndryshme në promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare por në këtë vit jubilar nuk mund të mos e mbyllnim festivalin këtu në Gjirokastër ku edhe e kemi nisur”, thotë organizatorja Ilda Mara.
Gjashtë suitat e Bach për violonçel të pashoqëruar zënë një vend të veçantë në repertorin e muzikantit Guralumi. Ato kërkojnë maksimumin në teknikë, interpretim dhe shprehje që kërkon vite, nëse jo një jetë për t’u zotëruar.
Publiku vlerësoi tingujt e ngrohtë, të thellë, atmosferën intime, aq afër zërit natyror të njeriut. Suitat e Bach prezantojnë një koleksion tregimesh të shkurtra muzikore të pasura me dizajne elegante, emocione e reflektime të larmishme. Vetë muzikanti tha se e jetoi me emocion takimin e tij me kalanë e Gjirokastrës.
“Jam shumë i befasuar nga ngrohtësia e publikut këtu në kalanë e Gjirokastrës. Unë mendoja që kidha miq, bashkëpuntorë të vjetër, artistë që mund të vinin por një ngrojtësi të tillë edhe po ta planifikoja nuk do ta arrija. Kjo falë muzikës por edhe falë këtij projekti për të mbajtur gjallë monumentet e kulturës. Bach-u tingëlloi mjaft bukur nën harkadat e mureve të kalasë së Gjirolastrës dhe them që ndoshta do të jetë e mundur edhe herë të tjera që unë të takohem me muzikën këtu në kalanë e Gjirokastrës”, shprehet violonçelisti, Pjetër Guralumi.
Performanca e plotë e gjashtë suitave lejoi një zhytje totale në diversitetin mahnitës të asaj që në fillim mund të duket e kufizuar për tu rritur bashkë me ritmet në një univers të tërë mundësish.
“Takimet muzikore të dy botëve” e nisi edicionin e tij të 15-të në Apoloni për të nderuar 100 vjetorin e zbulimit të qytetit antik duke sjellë lirën antike, lojërat olimpike si dhe një seri e plotë podcastesh për edukimin e nxënësve mbi trashëgiminë kulturore.
Top Channel