Ka shkaktuar një tërmet të vërtetë për opinionin publik në SHBA lëvizja e fundit e Washington Post, e cila njoftoi se nuk do të mbështesë këtë radhë asnjërin kandidat në zgjedhjet presidenciale.
Vendimi i marrë nga nga vetë pronari i gazetës, themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, prek mbështetjen për demokraten Kamala Harris. Ai ka ngjallur pakënaqësinë e stafit të Washingtonit Post, sindikata e të cilit doli me një deklaratë ku shprehte “shqetësimin thellë” për këtë vendim, veçanërisht duke marrë parasysh se “roli i bordit editorial” përfshin dhe mbështetjen e kandidatëve për të shërbyer kështu si një lloj udhërrëfyesi për lexuesit.
Deklarata vë në dukje gjithashtu se fakti që lajmi rreth vendimit për të mos mbështetur kandidatët erdhi nga drejtori ekzekutiv i gazetës dhe jo nga kryeredaktori, duke përcjellë shqetësimin për ndërhyrje në punën e gazetarëve në redaksi. Gazeta e njohur, e themeluar në 1877-tën, duke nisur nga viti 1992 ka mbështetur gjithmonë një kandidat për president në SHBA. Me vendimin e Jeff Bezos për “neutralitet”, shtohet lista e miliarderëve që kanë dalë në favor të Donald Trumpit ose të paktën nuk kanë zgjedhur të shprehin “armiqësi” ndaj tij.
Elon Musk po bën fushatë aktive për manjatin republikan e Peter Thiel është gjithashtu një mbështetës. Ndërkohë, yje të shumtë të spektaklit janë rreshtuar në krah të Kamala Harris, nga Taylor Sëift, Beyonce e deri tek Bruce Springsteen.
Top Channel