Rama në New York: Kurrë më parë, një individ me profil të lartë politik, s’është gjykuar nga një gjykatë e pakontrolluar nga politika

26/10/2024 18:10

“Rrugëtimi ynë drejt Bashkimit Europian i ngjan rrugës së çdo emigranti shqiptar në përpjekjet e tij për t’u pranuar dhe integruar drejt BE-së”, u shpreh kryeministri Edi Rama në New York, ku zhvilloi takimin e radhës me shqiptarët e Diasporës.

Duke folur për Shqipërinë ndër vite, ai u shpreh se nga vendi që shihej me paragjykime, që nuk e vizitonte asnjë lider europian dhe që ishte zhytur në borxhe, sot është vendi “ku fry era e re e shtetit”. Sipas tij, si kurrë më parë, “njerëz të veshur me pushtet, janë përballur me drejtësinë”.

“Shqipëria dikur shihej me paragjykime, ashtu sikurse shiheshin shqiptarët, ashtu sikurse jeni parë ju kur keni ardhur. Asnjë nga udhëheqësit e vendeve europiane nuk e vizitonte Shqipërinë. Qeveri e zhytur në borxhe ndaj kompanive të ndërtimit të rrugëve dhe shërbimeve për sektorin publik. 40 milionë dollarë ishte borxhi i qeverisë vetëm prej detyrimeve të papaguara ndaj invalidëve dhe personave me aftësi të kufizuara. 1.3 miliardë dollarë ishte borxhi ndaj kompanisë që shpërndante energjinë elektrike. Shqiptarët shkonin në spital me çarçafë dhe batanije nga shtëpia. Sistemi i sterilizimit ishte i shkatërruar, ambulancat dhe makinat e policisë fikeshin në rrugë. Çdo tre ditë kishte vrasje. Korrupsioni ishte në nivelet më të larta, deri për të marrë një certifikatë personale. Turizmi mbahej gjallë vetëm nga malli i emigrantëve dhe i shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Si sahati që ishte gjithmonë 12, ashtu kishte ngecur koha e Shqipërisë. Sistemet kulluese i mbulonin ferrat, për agroturizëm s’bëhej fjalë, paga minimale ishte 150 euro, angazhimi i forcave të punës nën 50 për qind. Borxhi publik ishte i lartë, drejtësia ishte pazar i madh ku pandëshkueshmëria ishte fjala sinonim i emrit Shqipëri në çdo raport ndërkombëtar.

Sot, era e re e shtetit fryn gjithnjë e më e fortë, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjik, SHBA, BE. Në 1 dekadë, kemi dyfishuar prodhimin e përgjithshëm. Kemi dyfishuar pagën minimale dhe atë mesatare në sektorin publik. Forcën e punës e kemi çuar mbi 80 për qind. Sot jemi mbi mesataren e rajonit me mbi 900 dollarë për frymë. Pagat reale në sektorin privat janë të konkurrueshme, jemi në po të njëjtin nivel me Greqinë etj. Kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë goditje vdekjeprurëse. Të gjithë shqiptarët, edhe nëse s’janë historianë, dinë aq histori sa duke kthyer kokën prapa, shohin për herë të parë që nga 1912, që njerëz të veshur me pushtet, janë përballur me drejtësinë. Kurrë më parë, një individ me profil të lartë politik, nuk është gjykuar nga një gjykatë e pakontrolluar nga politika. Jam krenar që me votën e shqiptarëve, ne udhëhoqëm një reformë të thellë në drejtësi, që s’e ka bërë asnjë nga vendet anëtarë në BE, pa hyrë në BE”, tha Rama në New York.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA