“Prioriteti kryesor, zgjerimi”, Von der Leyen në Prishtinë: Kosova, përfituesja më e madhe e Paketës së Rritjes

26/10/2024 13:23

Turi i saj ballkanik e çon sot në Kosovë shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Zyrtarja e lartë europiane u takua fillimisht me presidenten Vjosa Osmani, për të cilën tha se po punon fort për të ardhmen e Kosovës. “Prioriteti im kryesor vazhdon të jetë zgjerimi. Jam e përkushtuar për një të ardhme, ku gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e BE-së”, tha ajo, ndërsa më tej preku edhe çështjen e masave të vendosura ndaj Kosovës.

“Është shumë e rëndësishme që të punojmë së bashku. Hapat lidhur me CEFTA ishin shumë të rëndësishëm. Dhe pas kësaj mendoj se duhet të punojmë në hapa të mëtejshëm, që të arrijmë në një pikë ku mund të arrijmë heqjen e masave. Kjo do të ndihmonte edhe shtete anëtare që të binden, meqë shtetet anëtare duhet ta japin pëlqimin e tyre për çdo hap”, tha Von der Leyen.

Në vijim, shefja e KE-së pritet të ketë një takim edhe me kryeministrin Albin Kurti. Përpara ndalesës në Prishtinë, Von der Leyen vizitoi Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnje Hercegovinën e Serbinë.

Në Beograd, Von der Leyen u takua vetëm me presidentin Aleksandar Vuçiç ndërsa anuloi takimin me kryeministrin serb, Millosh Vuçevic. Zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer, pohoi më pas se Vuçevic po atë ditë ishte takuar me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.

Serbia vazhdon t’i rezistojë thirrjeve të Brukselit për t’i vendosur sanksione Moskës për shkak të agresionit të saj ndaj Ukrainës. Në përgjithësi, ky turne rajonal i Von der Leyen përqendrohet më së shumti tek ndihma që BE-ja ka ndarë për vendet e rajonit me qëllim përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane. Më herët, blloku miratoi axhendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes.

Axhendat u aprovuan më pas edhe nga Komisioni Europian, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës. Plani i Rritjes është në vlerë të përgjithshme prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat, 2 miliardë do të jenë para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në formë të kredive të favorshme. Në raportin për frymë, Kosova do të jetë përfituesja më e madhe nga kjo paketë, pasi do të përfitojë më shumë se 820 milionë euro. Von der Leyen përmbyll turneun e saj ballkanik me vizitën në Mal të Zi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA