Ligji për bashkëpronësinë pritet të ndryshojë, duke na futur në shina rolin e administratorit, i cili jo vetëm do të funksionoje sikurse duhet, por do të kontrollohet nga bashkia për punët që duhet të kryejë dhe shpeshtësinë e tyre.
“Bashkitë do të kenë një libër ku do të shënojnë për çdo subjekt afati i riparimit te ashensorit, fasadës, elemente të sigurisë për zjarrin”, shpjegon Arbër Mazniku.
Për objektet që nuk arrijnë të vendosin një tarifë që duhet të paguajnë banorët për bashkëjetesën në komunitet, atëherë bashkia do të përcaktojë tarifë reference.
Për mosmarrëveshjet, të cilat nuk i zgjidh dot administratori, do të ngrihet një komitet ndërmjetës qe është një hallkë para se çështja të shkojë në gjykatë, ndërsa ato familje që nuk shlyejnë detyrimet e shkallës, do të përballen me një faturë fiskale.
“Administratori do të pajiset me Nipt dhe do të lëshojë fature, e cila është titull ekzekutiv dhe vilet në mënyrë të ligjshme“, thotë Mazniku.
Administratori do të duhet të krijojë dhe një fond rezervë kundrejt transparencës së plote për të kryer riparime me kosto sikurse është blerja e një ashensori pas disa vitesh apo riparimi i tarracës, e cila nuk mund të bëhet vetëm me tarifën mujore.
Top Channel