Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore e Tiranës, u pajis me certifikatën ISO 9001, certifikim ky për sistemet e menaxhimit të cilësisë në shërbim.
Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi si në tjetër vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar.
“Ne duam të përmirësohemi, të kontrollohemi, të vlerësohemi çdo vit, ne duam që ta rrisim stekën, që të thyejmë rekord çdo vit. Ndaj, shpresoj se kemi filluar një marrëdhënie afatgjatë së bashku, ku Bashkia e Tiranës dhe të gjitha institucionet përbërëse të saj kalojnë çdo vit këtë filtër transparence, efiçence dhe përgjegjshmërie. Këtë akt përgjegjshmërie e kemi marrë sepse besojmë fort që, përpara se të na kontrollojnë të tjerët, ne duhet të kontrollohemi vetë. Më vjen mirë që institucioni i taksave dhe tarifave vendore të bashkisë është i treti, pas aparatit qendror të bashkisë dhe Policisë Bashkiake, që e merr këtë vlerësim nga DEKRA”.
Veliaj vuri në dukje dhe faktin se sot Bashkia e Tiranës ka më shumë se 10-fishin e buxhetit që u gjet në vitin 2015.
“Për ne që jetojmë në Ballkan, në këtë klimën toksike ku një minorancë e zhurmshme bën zhurmë sa për gjithë dynjanë, ndonjëherë duhet një vlerësim i dikujt që vjen me një sy të freskët nga jashtë, për të parë çfarë bëhet dhe për të treguar vërtetësisht realitetin e atyre që punojnë me përkushtim dhe nisen çdo ditë në mëngjes, jo për t’u bërë xhandarë, por për të bërë një punë dinjitoze që mban familjen, dhe së dyti për të qenë pjesë e një skuadre që ndryshon një realitet, që ndryshon një qytet dhe lë një gjurmë të jashtëzakonshme për transformimin e qytetit”.
Më herët, këtë certifikim e ka marrë edhe administrata qendrore e Bashkisë së Tiranës dhe Policia Bashkiake.
Top Channel