“Betejë në Kuvend për buxhetin e pensionistëve”, Berisha: 8 miliardë shpenzime dhe nuk është parashikuar asgjë për pensionet

25/10/2024 13:26

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, premtoi rritje të pensioneve, nëse Partia Demokratike vjen në pushtet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në daljen për mediat, kreu i PD-së u shpreh se do të aplikojë skemën e qeverisë së Kosovës, duke rritur pensionet në varësi të kontributeve që kanë gjatë jetës së tyre.

Ku ishte ligësia dhe pashpirtësia ekstreme e Edi Ramës? Ishte mashtrimi i dytë i tij. Ai kishte marrë biznesmenë në sallë dhe vetëm sa nuk u thoshte se keni kryer krime kundër njerëzimit, pensionistëve, se ju mbani punëtorë informalë apo deklaroni rroga të ulëta. Ju lutem shumë çdo pensionisti dhe pensionisteje, çdo qytetari dhe qytetareje të më ndjekë në këto moment.
Edi Rama ka dërguar në parlament buxhetin prej 8 miliardë euro dhe me krenarinë se është buxheti më i madh i kohërave.
Ky buxhet 8 miliardë euro, të dashur pensionistë, asnjë qindarkë nuk vjen nga qeveria dhe administrata, i tëri vjen nga bizneset.

Por unë po ndalem përsëri, fondet e nevojshme për të rritur, për të vendosur minimumin jetik 200 euro dhe për të pasur për çdo shqiptar një pension 200 euro dhe për të rritur çdo pension tjetër mbi 20 përqind, ekzistojnë pa asnjë lloj shtrëngimi në 8 miliardëshin që paguajnë biznesmenët shqiptarë, taksa, tatime, etj. Pra, Edi Rama u përpoq të paraqesë para jush të dashur pensionistë si mburojë për talljen e tij me pensionet tuaja, murin e informalitetit. Ai nuk e shpiku, informaliteti ekziston dhe duhet luftuar,por çdo qeveritar dhe çdo qeveri, rrogat dhe pensionet, rritjen e tyre e bazon në të ardhurat që mbledh për buxhetin, dhe këto të ardhura sipas tij do jenë 8 miliardë euro.

Doja t’u shpjegoja me të gjitha mundësitë e mia se sa i pashpirt është ky njeri. Mos harroni se rrogat e shqiptarëve janë në total rreth 800 milionë euro, pra 7.2 miliardë euro teprojnë në buxhet. U garantoj ju edhe për të rritur 100 përqind rrogat dhe pensionet. Por si ka mundësi që këta shpifarakë dalin para jush e u thonë se fajin e kanë këta që nuk regjistrojnë punëtorin, në një kohë kur unë kam këtu para 8 miliardë? Por këta nuk i japin se i vjedhin dhe vetëm i vjedhin.

Ua përsëris, për zgjerimin të rrugës 34 km Tiranë-Durrës, e cila ju garantoj me përgjegjësi absolute se nuk mund të shkojë kurrë më shumë se 50 milionë euro, këta pasi përcaktuan 150 milionë, Lubi Balluku me Edi Ramën kalojnë në 300 milionë euro brenda një harku kohor njëmujor. Jo, thanë, dy korsitë që do shtohen në autostradë do kushtojnë 300 milionë euro. Apo rruga Tiranë-Ndroq, një rrugë 37 km, e cila nuk mund të kushtojë më shumë se 35 milionë euro, në terren fushor, të butë kudo që kalon, nga 40 e ca milionë që ishte parashikuar, u dyfishua, kaloi në 90 milionë”, tha Berisha.

“Rikujtoj këtu dhe njëherë se me të ashtuquajturin indeksim 1.6 përqind që bëri në muajin tetor, Edi Rama nuk indeksoi as një të katërtën e çmimit të rritur të ushqimeve që në tërësi u rrit me 9.4 përqind në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023.
Me këtë rast, jashtë çdo lloj politike përveç detyrimit absolut që ka një qeveri që të shpërndajë të ardhurat kombëtare në mënyrën më të mirë të mundshme, garantoj çdo pensionist se gjatë debatit parlamentar do të bëjmë çdo përpjekje që të vendoset minimumi jetik, me të cilin çdo i moshuar, qoftë edhe ai që nuk ka punuar një ditë të vetme në shtet apo nuk ka paguar sigurime, do të ketë një pension bazë sa minimumi jetik prej 200 eurosh.

Të gjithë pensionistët e tjerë, mbi këtë bazë do kenë një rritje 20 përqind të pensionistëve. Ju mund të më pyesni mua ku janë këto para, ku i merr këto fonde, pse e bën këtë premtim? Unë u përgjigjem shumë thjeshtë. Shqipëria ka sot një buxhet për vitin 2025, 2.2 herë më të madh se buxheti i Kosovës. Kosova vendosi dy javë më parë si pension minimal, d.m.th si pension edhe për ata që nuk kanë paguar një ditë sigurime, por nuk mund të lihen në mëshirë të fatit, pra si pension minimal, 120 euro.
Ishte 100, e bënë 120 euro. Dhe mbi këtë bazë, pra unë nuk po bëj gjë tjetër, vetëm po zotohem të aplikoj skemën që aplikoi qeveria e Kosovës, dhe mbi këtë bazë një rritje prej 20 përqind në varësi të kontributeve që kanë gjatë jetës së tyre. Kjo është e mundshme 100 përqind”, theksoi ai.

I pyetur se si do të jetë aksioni i opozitës, kur vetë Berisha ka paralajmëruar betejë në Kuvend për buxhetin e pensionistëvve, kreu i PD-së u shpreh se “Kombinim i të gjithave. Nuk mund të hiqet dorë nga mosbindja civile deri në ditën që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë. Një gjeneratë e tërë nuk ka jetuar një ditë në diktaturë dhe e ka të vështirë të mendojë se në Shqipëri ekziston një diktaturë, pasi nuk e njeh atë. Kjo e sotmja është diktaturë, por jo komuniste, është mafioze dhe diktaturë bandash.  Nuk kemi të bëjmë me zgjedhje, por me farsë elektorale”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA