Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, në një postim në Facebook ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me një pyetësor të publikuar nga Prezenca e OSBE në Shqipëri, në lidhje me pjesëmarrjen gjinore në Kuvend.
Sipas tij, është e pavend që në një moment të tillë politik në vend, OSBE “shpërndan një pyetësore që na kërkohet të përcaktojmë seksin”, thotë deputeti.
Por jo vetëm kjo është problem për Shehun, sepse ai ka quajtur provokative dhe ndesh me ligjin faktin se janë tre opsione për t’u përgjigjur “femër; mashkull dhe të tjera”, duke refuzuar të plotësojë këtë pyetësor.
“’Provokacion’ i Zyrës së OSBE ndaj Kuvendit, a heqje vëmendje për deformimet e demokracisë?!
Në këto momente kaq errëta për demokracinë shqiptare e parlamentarizmin.
Kur lideri i opozitës është izoluar politikisht, deputetë burgosen për denoncime, ish presidentë rrëmbehen me dhunë, parlamenti shkatërrohet…
OSBE organizon një seminar për “përbërjen gjinore” të Kuvendit!
– Dhe shpërndan një pyetësor për deputet, të cilëve u kërkohet të përcaktojnë “seksin” e tyre, përmes tre varianteve:
1-Mashkull
2-Femër
3-Të tjera
Së pari nuk më duket momenti i përshtatshëm për të tilla pyetësore e seminare, kur OSBE duhet të kishte në qendër të saj zhvillimet e Kuvendit tonë.
Por përtej kësaj, e gjej provokatore e ndesh me ligjet vendosjen e tre “opsioneve” për të përcaktuar seksin deputetet.
Në fakt e gjej edhe qesharake e fyese këtë pjesë, që bëri që unë të refuzoj të ç’fletoj më tej e pra të përgjigjem.
Pikërisht për këtë dëshiroj të pyes autorët e atij pyetësori e seminari:
Çfarë kuptojnë ata me opsionin “të tjera” për seksin e deputetëve?!
Shqipëria me ligjet e saj, traditën e saj njeh zyrtarisht dy opsione seksuale: Mashkull e femër.
Shqipëria me Kodin e Familjes njeh vetëm Familjen nga një burrë, një grua e me shpresë fëmijët, biologjikë apo adoptivë ata.
Shqipëria ka ligje shumë të qarta për adoptimin e fëmijëve në këtë frymë.
Atëherë pse OSBE merr përsipër të përfshihet në të tilla lojëra?!
Kur duhej të denonconte shkeljet madhore të demokracisë e parlamentarzmit këtu”, shkruan deputeti.
Top Channel