Grupi i PD takon kreun e Komitetit BE-Shqipëri në PE: Po synohet asgjësimi i opozitës përmes burgosjes politike të Berishës

24/10/2024 13:46

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vijuar vizitën zyrtare në Parlamentin Europian.

Deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, janë takuar me eurodeputetin Marco TARQUINIO, Kryetar i Komitetit të Stabilizim Asociimit BE- Shqipëri dhe përfaqësues i grupit parlamentar “Progressive Alliance of Socialists and Democrats”.

Lajmi është bërë i ditur nga një njoftim për shtyp i Grupit Parlamentar.

Më poshtë reagimi i plotë:

Vizita në Parlamentin Europian ishte një mundësi edhe për t’u njohur dhe për t’i uruar suksese në detyrën e re eurodeputetit Marco TARQUINIO, Kryetar i Komitetit të Stabilizim Asociimit BE- Shqipëri dhe përfaqësues i grupit parlamentar “Progressive Alliance of Socialists and Democrats”.

Informimi me fakte e prova për situatën e rëndë që po kalon Shqipëria, është e vetmja mënyrë për të ndihmuar për të çliruar Shqipërinë nga një qeverisje e kriminalizuar dhe e korruptuar, që synon asgjësimin e opozitës përmes burgosjes politike të liderit të saj, apo kërcënimin e çdo kundërshtari politik që i shërben interesit publik dhe denoncon korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Kryetarin Tarquinio e informuam paraprakisht edhe për qëndrimin tonë për mbledhjen e javës së ardhshme të SAPC në Tiranë, ku opozita do të marrë pjesë, me propozime konkrete që ndihmojnë Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane.

Shqipëria europiane është projekti i çdo shqiptari të ndershëm dhe kjo kërkon angazhimin e cilitdo për t’i dhënë fund keqqeverisjes 12-vjeçare së Edi Ramës, si dhe ndërmarrjen e reformave të nevojshme që garantojnë zgjedhjet e lira e të ndershme, luftën efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe shkëputjen e lidhjeve mes Qeverisë dhe krimit të organizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA