Çmimet “At Gjergj Fishta” në Lezhë, vlerësohen katër autorë

24/10/2024 12:49

Në ceremoninë e çmimeve “At Gjergj Fishta” 2024, të mbajtur në Lezhë për të përkujtuar 153-vjetorin e lindjes së poetit dhe shkrimtarit të madh shqiptar, u vlerësuan katër autorë të shquar për krijimtarinë e tyre.

Marash Mirashi u shpall fitues në kategorinë e prozës me romanin “Brirët”, Stefan Çapaliku triumfoi në poezi me vëllimin “Camera Obscura”.

Fatmir Toçi mori çmim për studime letrare me veprën “Arbëreshët, shqiptarët e Italisë”, ndërsa Rudolf Marku u nderua për përkthimin letrar me librin “Safo”.

Gjatë ceremonisë, të pranishmit përkujtuan figurën e At Gjergj Fishtës dhe nënvizuan rëndësinë e aktiviteteve të tilla për promovimin e trashëgimisë kulturore në kohët moderne.

Përveç katër çmimeve kryesore, u ndanë edhe disa çmime për arritje dhe kontribute të veçanta: Ardi Murçllari, Life Hasa, Nikoll Njeçi, Liza Brunga dhe i ndjeri Dom Jak Zeka u nderuan për meritat e tyre të veçanta.

Kjo ngjarje, e kthyer tashmë në traditë, u organizua nga Bashkia Lezhë me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, duke pasur si synim ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore kombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA