Ankaraja u trondit sot nga një sulm terrorist ndaj kompanisë shtetërore të hapësirës ajrore të Turqisë.
Të paktën pesë persona u vranë dhe 22 u plagosën në selinë e Industrisë Hapësinore Turke në periferi të Ankarasë, siç tha ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya. Ndërkohë dy terroristët, një burrë dhe një grua, u ekzekutuan në vendngjarje.
“E dënoj këtë sulm të tmerrshëm. Lufta jonë do të vazhdojë me vendosmëri derisa terroristi i fundit të neutralizohet”, tha Yerlikaya.
“Zoti i mëshiroftë dëshmorët tanë. I uroj shërim të shpejtë të lënduarve tanë”, tha ai.
Një video e mediave sociale e verifikuar nga CNN tregoi momentin kur një shpërthim tronditi selinë e TUSAS. Pas shpërthimit, një person që mbante një armë zjarri shihet duke vrapuar në atë që duket të jetë një parking.
Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por kur u pyet nga gazetarët për një përgjigje ndaj sulmit, ministri turk i mbrojtjes Yasar Guler sugjeroi se Partia militante e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) mund të qëndronte pas tij akti.
PKK është klasifikuar si organizatë terroriste nga Turqia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Pa elaboruar identitetin e sulmuesve, Guler u tha gazetarëve “ne i ndëshkojmë anëtarët e çnderuar të PKK-së siç e meritojnë vazhdimisht, por ata nuk duket se mësojnë.”
Ministri i Brendshëm tha më vonë se ndërsa procesi për identifikimin e sulmuesve po vazhdon, një vlerësim fillestar sugjeron se PKK qëndron pas sulmit.
“Sapo të konfirmohet se për cilin grup terrorist bëhet fjalë, do të bëhet e ditur. Por këtë do ta them, dëgjuam edhe komentet e ministrit të mbrojtjes. Që nga fillimi, mënyra se si u krye sulmi, video që pamë, tregon se PKK-ja ka kryer sulmin. Ky është vlerësimi ynë,” u tha Yerlikaya gazetarëve në Ankara jashtë spitalit ku po trajtoheshin disa nga të plagosurit.
Top Channel