Kryeministri i vendit, Edi Rama, reagoi pas sulmit të sotëm në Ankara të Turqisë, ku humbën jetën pesë persona dhe u plagosën 22 të tjerë.
Kreu i qeverisë dënoi sulmin dhe shprehu solidaritetin me Turqisë, duke theksuar se dy vendet janë kombe vëllazërore.
“Jemi thellësisht të tronditur nga raportimet për viktimat dhe të plagosurit në Ankara. Shqipëria qëndron krah Turqisë si dy kombe vëllazërore dhe aleate të NATO-s.
Dënojmë ashpër terrorizmin në të gjitha format e tij dhe jemi plotësisht të bindur se Republika e Turqisë do të dalë më e fortë nga ky akt i pabesë ndaj qytetarëve të saj të pafajshëm“, shkruan Rama në reagimin e tij.
Terroristë të armatosur sulmuan zyrat qendrore të Industrisë turke të Hapësirës Ajrore në Ankara, duke shkaktuar 5 viktima dhe 22 të plagosur. Sipas mediave turke, fillimisht ka patur një shpërthim me bombe në një taksi në portën e objektit dhe më pas të paktën 3 persona me kallashnikov, dhe të pamaskuar, kanë filluar të qëllojnë me breshëri plumbash.
Autoritetet vendase thanë se bëhet fjalë për një sulm terrorist, ndërsa mediat publikuan pamje të autorëve, mes të cilëve duket edhe një vajzë.
Top Channel