![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/03793279-eddc-4a88-b80c-dbd020acc825_sd-800x450.jpg)
Të kapur në befasi nga përmbytjet e 4 tetorit që dëmtuan mbi 30 banesa e dhjetëra biznese në qytetin e Vlorës, drejtuesit e pushtetit lokal nxituan të marrin masat e para.
Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha tha: “Me këtë prishje shpresojmë të japim një mesazh të qartë për të gjithë ata që pengojnë mirëfunksionimin e këtij kanali. Masat konkrete që po marrim sot do të vazhdojnë edhe në vijim”.
Ndërtimet pa leje e pa kriter të lejuara deri tani nga autoritetet lokale, por edhe mos pastrimi i kanaleve prej disa vitesh bënë që uji të vërshojë në lagjet e Vlorës e të marrë përpara ç’të gjejë.
Pamjet e këtyre përmbytjeve duhet të jenë kambanë e fortë e alarmi për çdo drejtues, që synon të parandalojë situata të ngjashme në të ardhmen.
Për përmbytjet ka nisur një auditim edhe Kontrolli i Lartë, ndërsa një kallëzim për shpërdorim detyre është dorëzuar në prokurori nga dega e partisë demokratike, e cila kërkon mbajtjen e përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara.
Top Channel