E pyetur nga gazetarët nëse hapja e kapitullit të parë në negociatat me BE, erdhi falë faktit se vendi ynë pranoi kampet e refugjatëve në Gjadër, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u shpreh se rezultatet e Shqipërisë janë të shkëlqyera.
“Qartësisht jo, ne e dimë që procesi për t’u bërë shtet anëtar ose për të hap negociatat është shumë i qartë, shumë i detajuar, është transparent, bazohet te meritat që ka çdo vend. Do ta shikoni se rezultatet e Shqipërisë janë të shkëlqyera”, tha von der Leyen.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjes për “kritikat që reformat politike në Shqipëri shpesh janë parë si të ngadalta dhe të ndikuara nga interesat e brendshme politike”.
“Unë kam dëgjuar shpesh që reformat tona janë të nxituara, por nuk kam dëgjuar ndonjë që të thotë janë të ngadalta, apo që reformat tona janë të lidhura me interesa të politikës së brendshme. Lajmi i mirë për Shqipërinë është se nuk është një ishull i shkëputur nga bota dhe as nuk është një vend në kontinent që ka bërë zgjedhje të qëndrojë me kurriz nga Europë. Është një vend që gdhihet në mëngjes dorë për dore me BE dhe SHBA dhe ecën çdo ditë krah për krah me aleatët e vetë strategjikë. Të nesërmen rizgjohet dhe vazhdon të ecë për faktin se shqiptarët kanë vendosur unanimisht t’i përkasin Bashkimit Europian, nëse dikush ka opinione të caktuara, kjo është pjesë e mendimit të lirë, por nëse venë në diskutim reformat e caktuara për të cilat u ulëm në tryezë me BE, problemi nuk është as imi, as i shqiptarëve, as i BE. Shqipëria ka shumë male për të kapërcyer, deri sa të arrijmë në majën më të lartë që është maja e anëtarësimit. Nëse jemi gati brenda 2030, për të qenë vend an në BE, më në fund do te jemi shtet në BE dhe kjo është më e rëndësishme për mua dhe për të gjithë”, tha Rama.
Top Channel