Një arkivë me vepra të rralla, te të cilat vetëm pak studiues kanë pasur akses, u ekspozuan sot për publikun në Bibliotekën Kombëtare. Janë 600 libra dhe harta origjinale të shtypura në Venecia mes viteve 1400-1800.
Ekspozita Koleksionet Veneciane në Bibliotekën Kombëtare, e kuruar nga Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Firences, Elisabetta Sciarra, ndahet në disa seksione, dedikuar historisë së Venedikut dhe Rilindjes Europiane në shekujt 16-18, një sesion dedikuar Shqipërisë dhe Greqisë si dhe Orientit.
“Gjatë kësaj procedure të censusit që ishte mjaft e vyer për realizimin e kësaj ekspozite, patëm rastin fatlum të gjenim disa publikime mjaft të rralla, njëri prej të cilëve ka të bëjë me botimin e biografisë së shkruar nga Marin Barleti për historinë e Skënderbeut“, u shpreh Elisabetta Sciarra, Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Firences.
“Shqipëria ka vuajtur në kohën e diktaturës kur ka qenë e izoluar nga bota, por nëse shohim që nga fillesa, Shqipëria ka qenë një urë lidhëse mes vendeve ballkanike, me marrëdhënie të shumta dhe kjo gjë duhet të bëhet me dije, siç po bëjmë sot“, tha Alessandro Ruggera, Drejtori i Institutit Italian të Kulturës.
“Jo rastësisht e nisëm me Venecian, mjafton të përmendim librat që lidhen me historinë tonë dhe gjuhën tonë, të botuara në Venecia që nga Bogdani, Buzuku dhe një mori librash për Skënderbeun. Ka dhe një arsye tjetër, nga librat e ekspozuara, kupton që Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë një ishull, as në periudhat e historisë kur dukej sikur e ndante një mur i pakapërcyeshëm me pjesën tjetër të Evropës, ka pasur individë që kanë mbajtur dhe ruajtur komunikimet“, theksoi drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dashamirësit deri në 4 nëntor, ndërkohë që Biblioteka Kombëtare po punon për të sjellë të tjera botime dhe dorëshkrime të gjuhës shqipe.
Top Channel