Nga dorëzimi i Radoiçiçit te dialogu Kosovë – Serbi, kush ishin temat kryesore të diskutimit mes O’Brien dhe Kurtit

21/10/2024 21:04

Raportet e Kosovës me Serbinë, përparimi në dialogun mes dy vendeve, dhe nevoja për dorëzim të Millan Radoçiçit në Kosovë, kanë qenë disa prej çështjeve që kanë diskutuar ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të hënën në Prishtinë, sipas Qeverisë së Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar për media, Qeveria e ka përmendur nevojën e nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë një vit më parë, në mënyrë që ajo të respektohet dhe zbatohet.

Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh është arritur mes dy vendeve në shkurt të 2023-ës në Bruksel, dhe më pas palët janë pajtuar për një aneks në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por nuk është bërë drejtim drejt zbatimit.

Sa i përket ekstradimit të Radoiçiçit, Qeveria ka vlerësuar se dorëzimi i tij i shërben ligjshmërisë, drejtësisë, paqes dhe sigurisë. Radoiçiç e ka marrë përgjegjësinë për organizim dhe kryerje të sulmit në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, në të cilin është vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë. Kosova e fajëson shtetin serb për organizim të sulmit, por Beogradi zyrtar mohon gjithçka.

Autoritetet drejtësisë kanë ngritur aktakuzë për këtë rast kundër Radoiçiçit dhe dhjetëra personave tjerë, tre prej të cilëve janë të arrestuar në Kosovë. Radoiçiç dhe të tjerët besohet se janë të lirë në Serbi.

Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka mirëpritur O’Brienin në vizitën e tij të parë në Kosovë, dhe ka thënë se bashkë me të do të diskutojnë me zyrtarë të Kosovës për çështjet bilaterale dhe do të ritheksojnë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për popullin e Kosovës.

Një ditë më parë, në Beograd O’Brien u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

Pas këtij takimi, lideri serb tha se takimi me zyrtarin amerikan u fokusua në “zgjidhjen politike në rajon, në situatën aktuale në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit në shumë fusha”.

Sa i përket Kosovës, Vuçiç tha se ka shprehur “shqetësim të thellë lidhur me sfidat që përballen çdo ditë popullata serbe”, duke shtuar se ai ka shprehur gatishmëri për gjetjen zgjidhjeve për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Vuçiç po ashtu tha se shpreson që dinamika e dialogut dhe bashkëpunimi rajonal “të vazhdojnë me mbështetjen e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian”.

Sa i përket dialogut, O’Brien në një intervistë për transmetuesin publik serb të publikuar më 21 tetor tha se kërkon që të gjitha marrëveshjet e arritura të respektohen.

Ai tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “hap i rëndësishëm”, por kërkoi që të bëhet përparim edhe para themelimit të Asociacionit.

Që nga viti 2013, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionit. Më 2015, është arritur edhe Marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij asociacioni. Por, marrëveshjet nuk janë zbatuar kurrë. Kosova ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të ndikojë në funksionimin e shtetit.

Së fundi, Qeveria e Kurtit është përballur me kritika nga SHBA-ja dhe shtete të tjera perëndimore. Kjo pasi, komuniteti ndërkombëtar i ka cilësuar disa veprime të ekzekutivit kosovar – përfshirë edhe mbylljen e disa institucioneve që funksiononim sipas sistemit të Serbisë – si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Qeveria ka thënë se veprimet e saj janë në kuadër të shtrirjes së sovranitetit dhe të sundimit të ligjit./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA