Teatri shëtitës Çajupi i dha gjallëri fundjavës në Gjirokastër me shfaqjen komedi “Gruaja e burrit tim”.
Komedia e autorit Ray Cooney bazohet mbi lojën e keqkuptimeve dhe serisë së gënjeshtrave që një shofer taksie sajon për të mbrojtur sekretin e marrëdhënies së tij me dy gra.
Loja dinamike e aktorëve përcolli humorin e shkaktuar nga tensionet dhe ndërlikimet e situatave që dilnin jashtë parashikimeve.
Komedia e vënë për herë të parë në skenë nga vetë autori me titullin “Run for your wife” në vitin 1989 ka shëtitur dhe është interpretuar në qindra skena të botës. Kritika e ka përshkruar atë si të ngarkuar me rrugë qorre, lojëra fjalësh të detyruara dhe qëllime të trazuara.
Aktori Xhejni Fama u shpreh: “Gjirokastra është një qytet mjaft mikpritës dhe mjaft artdashës, siç e patë edhe vetë salla për të dyja netët ishte plot kjo na motivon edhe ne si aktorë që të japim maksimumin tonë, edhe vetë pjesa është një pjesë që të bën të kënaqesh edhe si aktor por edhe spektatorin ta kënaqësh, duartrokitjet ishin ato që ne na lumturuan jashtë mase”.
“Mendoj se u kënaqën shumë, për ne ishte një eksperiencë shumë e bukur shpresoj të vijmë përsëri në Gjirokastër edhe i falënderojmë shumë ata që ishin pjesë e jona në këtë emocion të bukur që na transmetuan”, tha aktorja Denada Llanaj.
“Gjirokastra të pret mirë , të vlerëson kur je serioz dhe po largohemi me mikpritjen në të gjitha drejtimet mikpritjen e spektatorit, mikpritjen e teatrit”, u shpreh aktorja Denisa Demaj
Ndërkohë aktori Ersiljano Xhelollari tha: “E kemi shijuar shumë bashkë me grupin, ka qenë një fundjavë shumë ndryshe, njerëzit këtu na kanë pritur shumë mirë, jemi kënaqur dhe shpresoj që të rikthehemi sërish këtu në Gjirokastër, pamë këto dy ditë që njerëzit kishin shumë kërkesë për ta parë shfaqjen”.
Përgjatë këtij sezoni artistik teatri i Gjirokastrës ka pritur interpretimet e të paktën 10 trupave të teatrove të tjerë evente të muzikës klasike, shfaqje muzikore, përveç shfaqjeve që ka vënë në skenë vetë trupa profesioniste e Gjirokastrës.
Top Channel