Një 42-vjeçar, i dyshuar si autor i katër vjedhjeve, është kapur dhe arrestuar nga policia e Kavajës.
Në vijim të punës për të zbardhur rastet e vjedhjeve të pronës dhe pasurisë, policia e Kavajës ka realizuar operacionin policor të koduar “FOUR”.
Bazuar në inteligjencën policore dhe hetimet e kryera nga shërbimet e policisë, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Elton Tafa, 42 vjeç, banues në Kashar, Tiranë.
Gjatë hetimeve, është zbuluar se Tafa dyshohet të jetë autor i katër vjedhjeve të automjeteve. Ai akuzohet për vjedhjen e një automjeti tip “Peugeot” ditën e djeshme, të cilin e braktisi në plazhin e Vilë Bashtovës pas zbulimit nga Policia. Ai u kap dhe u arrestua disa orë më vonë.
Ndërkohë mbi të rëndojnë dhe vjedhja e një automjeti tip “Ford” më 25 shkurt 2024 në Rrogozhinë; vjedhja e një automjeti tip “Chevrolet Matiz” më 20 gusht në Luz të Madh; si dhe vjedhja e një automjeti tip “Renault Twingo” pak ditë më parë, më 18 tetor, në lagjen nr. 2, Kavajë.
Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme lidhur me akuzën për veprën penale të “Vjedhjes”.
Top Channel