Katër varre foshnjash janë zbuluar gjatë gërmimeve të fundit arkeologjike në Amfiteatrin Antik të Durrësit.
Gërmimet italo-shqiptare u përqendruan në galeritë 8 dhe 9 duke prekur shtresat kohore që i përkasin periudhës osmane dhe Mesjetës së hershme.
Varret e foshnjave të gjetura së fundmi mendohet se i përkasin një periudhe që shtrihet mes shekujve IX-XI, duke shtuar një tjetër dimension historik në këtë vendbanim antik.
Shprehet arkeologia, Elvana Metalla: “Është një ekspeditë që financohet nga Instituti Arkeologjik, Universiteti i Kietit dhe Ministria e Jashtme Italiane. Është një projekt që ka në bashkëpunim kolegë shqiptarë dhe italianë. Në periudhën e Mesjetës i gjithë Amfiteatri është përdorur për qëllime banimi, si dhe ripërdorim për qëllime artizanale. Pas heqjes së fazave të periudhës osmane dhe asaj të Mesjetës, kemi arritur të zbulojmë dhe nivelin e përdorimit si varrezë. Janë zbuluar 4 varre fëmijësh nga 0-1 vjeç dhe janë mjaft të rëndësishme për të kuptuar se kjo zonë është përdorur si varrezë në shek. VI-VII dhe e ripërdorur në shek. IX-XI.”
Ndërkohë, furra e qeramikës, e zbuluar gjatë ekspeditës së mëparshme, është përcaktuar se daton në shekullin XII. Materialet e zbuluara përfshijnë qeramikë të periudhës mesjetare, kryesisht prodhim vendas dhe disa të importuara nga Bizanti dhe vendet islamike. Gjetje të tjera të rëndësishme janë dhe ato të qelqit dhe monedhave të ndryshme.
“Në këtë hapësirë kemi zbuluar dhe një pus ku kanë dalë mjaft materiale që i përkasin Mesjetës së vonë. Pusi kap një thellësi 1,5 metra dhe ka nxjerrë dhe materiale, qeramikë të Mesjetës së Mesme… Gjetjet do të studiohen nga antropologu i Institutit të Arkeologjisë Ulsi Tota dhe do të marrim pjesë për analiza për një datim më të saktë të tyre”, shton Metalla.
Të gjitha këto zbulime ndihmojnë në rindërtimin e imazhit të një vendbanimi portual të rëndësishëm, i cili ka pasur një rol kyç në marrëdhëniet tregtare, duke dëshmuar për historinë e gjatë të qytetit deri në ditët tona.
Top Channel